Inter tronditet në San Siro

14/09/2011 22:45

Interi ka pësuar humbjen e dytë në dy ndeshje zyrtare të luajtura këtë sezon dhe këtë herë akoma më të hidhur se ajo ndaj Palermos në javën hapëse të Serisë A. Zikaltërit janë mundur 0-1 nga turqit e Trabzonspor brenda në San Siro.

Inter e nisi ndeshjen me Pacinin dhe Zaraten në sulm dhe Shnajder që luante që nga minuta e parë e takimit. Megjithatë, skuadra e Gasperinit nuk u shfaq shumë e qartë në fushë, kjo edhe për meritë të mbrojtjes së skuadrës turke e cila mbylli mirë gjatë gjithë lojës hapësirat e vendasve.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Me kalimin e minutave, Inter shton presionin për gjetjen e golit të avantazhit, dhe për ta arritur atë, Gasperini hedh në fushë Militon dhe Alvares duke nxjerrë Obin dhe Pacinin. Ndryshimet sollën gol, por jo për Interin. Ondrej Celustka në minutën e 76 kalon Trabzonsporin në avantazh dhe bën San Siron të heshtë.

Në minutat e mbetura, Interi u përpoq të barazonte, por sërish pa rezultat; ndeshja u mbyll me fitoren e Trabzonspor që merr kryesimin e grupit B falë edhe barazimit 2-2 mes Lilës dhe CSKA-së së Moskës në Francë.

Në grupin e ferrit, grupin A, Bajerni mori pikë të plota pas fitores 2-0 në transfertë përballë Vilarealit. Golat për gjermanët u shënuan nga Kros në minutën e 7 dhe Rafinja në minutën e 76. Ndeshja tjetër në këtë grup, ajo mes M. Siti dhe Napolit është mbyllur në barazim 1-1. Miqtë kaluan të parët në avantazh në minutën e 69 me Kavanin. Pesë minuta më vonë Kolarov barazon gjithcka në 1-1, rezultat ky që nuk ndryshoi më.

Ka zhgënjyer edhe Junajted në transfertë përballë Benfikës. Djajtë e kuq nuk shkuan dot më shumë se barazimi 1-1 me vendasit, ndërkohë që në ndeshjen tjetër, Bazel mposhti 2-1 rumunët e Otelul Galati.

Një gol i Di Marias në minutën e 53 i ka mjaftuar Realit të Madridit për të marrë fitoren 1-0 në transfertë përballë Dinamos së Zagrebit, ndërkohë që u mbyll në paqe pa gola takimi tjetër mes Ajaksit dhe Lionit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA