Në ditën e dytë të fazës së grupeve të Champions League janë skuadrat e tjera të mëdha që zbresin në fushën e blertë. Një ndër takimet më interesante është ai mes Manchester City-t dhe Napolit.
Skuadra britanike e cila e fillon këtë sezon si debutuese në këtë veprimtari, është ndër pretendentet, falë emrave të mëdhenj që ka në përbërje.
Megjithatë trajneri Roberto Mancini shprehet i rezervuar dhe i kujdesshëm për këtë përballje me Napolin.
Pavarësisht emrave të mëdhenj që kemi në përbërje ndeshja e parë e Champions Leagues është gjithmonë e vështirë.
Deri më tani, sheiku Mansur, që është president i Manchester City-t ka shpenzuar rreth 950 milionë euro për yjet që ka blerë.
Nga ana tjetër Napoli është duke bërë përgatitjet e fundit edhe pse e nuk e sheh veten favorite për këtë ndeshje. Hera e fundit që napolitanët kanë marrë pjesë në Champions League ishte përpara 21 vitesh.
“Do të japim maksimumin tonë edhe pse jemi të vetëdijshëm që do të jetë e vështirë, por kam besim se do t’ia dalim”, thotë trajneri Maxarri.
Një tjetër ndeshje e rëndësishme mbrëmjen e sotme është edhe ajo mes Interit dhe skuadrës turke të Trabzonsportit.
Zikaltrit e kanë filluar me humbje këtë sezon të Serisë A dhe menjëherë kanë ardhur kritikat ndaj trajneri Gasperini i cili është detyruar për këtë ndeshje të Champions të rikthejë modulin e sezoneve të shkuara të Interit, 4-3-1-2.
Ndërkohë që Forlan nuk do të luajë për zikaltrit pasi është i pezulluar nga UEFA, për sulmin e Interit sot do të mendojë Zarate me Pacinin, megjithatë nuk mbetet prapa dhe alternativa Milito.
Manchester United pritet të ketë një ndeshje të lehtë në letër me Benfikën sot në mbrëmje.
Djajt po tregojnë një formë shumë të mirë në kampionat ku ndeshjen e fundit e fituan ditën e shtunë 5-0 me Boltonin.
Padyshim që rreziku numrë 1 për Benfikën në këtë ndeshje do të jenë Runi, Nani dhe Havier Hernandez, një treshe që ka rezultuar vrasëse për kundërshtarët e tyre deri në këto ndeshje.
Por edhe blerjet e reja që skuadrës portugeze janë premtuese, duke filluar nga mbrojtës i Realit, Garai, mesfushori belg Uistle, apo Pablo Aimar që ka në dorë repartin e sulmit.
Ndërkohë nuk e ka të thjeshtë përballjen e parë të fazës së grupeve Bajerni i Mynihut, i cili do të luajë përball spanjollëve të Vilarealit.
Gjithsesi trjaneri i tyre Jup Henkes e njeh mjaft mirë këtë veprimtari pasi ka udhëhequr në një sukses europian Realin e Madridit në vitin 1998.
Aventura e Bajernit në këtë sezon të Bundesligës ka filluar mjaft mirë, veç humbjes së javës së parë ata kanë grumbulluar 6 fitore rradhazi ku kanë shënuar 19 gola.
Gjermanët sëbashku me Vilarealin, janë në një nga grupet më të fortë të Champions-it në këtë sezon, pasi veç tyre, grupi A përbëhet edhe nga Manchester Siti dhe Napoli.
Të gjitha këto ndeshje do të trasmetohen drejtpërdrejtë në paketën Supersport të platformës DigitAlb.
Top Channel