Massimiliano Allegri, trajneri i Milanit, largohet i kënaqur nga Camp Nou pas barazimit që ekipi i tij arriti në minutën e fundit të takimit ndaj Barcelonës.
“Futbolli prandaj është i bukur: ka raste që humb kur nuk e meriton dhe fiton kur nuk e meriton. Patëm fat sepse Barcelona është ekipi më i mirë në botë”, u shpreh Allegri pas ndeshjes.
Trajneri italian lavdëroi punën e lojtarëve të tij: “Nuk u dorëzuam kur po humbnim 2-1 dhe kjo ishte merita jonë kryesore.”
“E nisëm lojën shumë mirë, por më pas Barcelona mori frenat e lojës në dorë. U treguam të zotët që nuk lamë hapësira, por në pjesën e dytë bëmë shumë pak në aspektin e krijimit të lojës”, shtoi Allegri.
Nga ana tjetër, trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, vlerësoi sulmuesin e Milanit, Alexandre Pato, duke e krahasuar me atletin Husain Bolt: “Tek goli i parë, Pato u tregua aq i shpejtë sa edhe Bolt nuk mund ta ndalonte.”
“Kemi luajtur një ndeshje të mirë. Na mungoi goli i tretë, por është e vështirë kur një ekip si Milani kthehet për të mbrojtur. Nëse ata vendosin të luajnë me 8 lojtarë prapa topit mund ta bëjnë këtë sepse kanë eksperiencë në Champions. Jo më kot kanë fituar 7 herë këtë kompeticion”, shtoi trajneri spanjoll.
Top Channel