Sipas gazetës ‘Shqip’, shumë shpejt, në Komisionin e Ekonomisë do të vijnë emrat kandidatura për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, e për rrjedhojë debati i djeshëm prekte axhendën e ndezur të Parlamentit.
Deputetët e opozitës rikthehen në Parlament pas një kohe të gjatë dhe kësaj here, vëmendja e tyre u ndal te kandidatura e AMF-së, kurse e dyta te “Kodi Doganor”, për të cilin kanë nisur ndryshimet me asistencën e BE-së.
Pasi dëgjuan CV-në e kandidates Kestrin Katro, i pari që mori fjalën ishte deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, cili kërkoi nga kryetari i komisionit shpjegime lidhur me emrat e rinj që do të vijnë. “Jemi të fundit që mësojmë emrat e kandidaturave dhe çfarë po ndodh me vendet vakante”, tha Harasani. Kaq ka mjaftuar dhe debati të ndizet më tej, me fjalën e deputetit tjetër socialist, Erjon Braçe, i cili kërkoi më shumë respekt për axhendën e kandidaturave, kurse deputeti Arben Malaj renditi disa shqetësime.
“U bënë vite që votojmë kandidaturat e qeverisë për kryetar dhe anëtarë të institucioneve të pavarura dhe nuk dimë procedurën sesi vijnë emrat e tyre tek ne. Gjykoj se duhet të kemi disa kandidatura dhe jo një, siç ndodhi sot (dje), në mënyrë që të zgjedhim të duhurin. Mendoj se duhet më shumë seriozitet te përzgjedhja e kandidaturave, si dhe të respektohen afatet kushtetuese për zgjedhjen e tyre. Këtu e kam fjalën edhe për krerët e KLSH dhe të guvernatorit”, tha Malaj, i cili më tej dha mendimin personal për cilësinë e krerëve të rinj. “Mendimi im është që emrat e rinj të vijnë nga bota akademike dhe shumë pak, për të mos thënë fare nga politika, nëse duam që këto institucione të ecin përpara”, nënvizoi ish-ministri socialist i Financave.
Kryetari demokrat i komisionit, Edmond Spaho, u përpoq të sqaronte pozicionin e Kuvendit në përzgjedhjen e emrave, duke theksuar disa herë që procesi ka qenë gjithnjë transparent. Deputeti Braçe ishte i mendimit që në komision të mos vijë vetëm një kandidaturë, pasi procesi i votimit kthehet si fakt i kryer, por në disa emra, në mënyrë që të ketë një diskutim të hapur.
Opozita i kushtoi rëndësi axhendës për kandidaturat e ardhshme të KLSH-së, Guvernatorit dhe AMF-së, tre institucione tepër të rëndësishme për mbikëqyrjen buxhetore, financiare dhe monetare të vendit.
Nënkryetarja e komisionit, socialistja Mimi Kodheli, tha se opozita është e hapur të bashkëpunojë për reformat, por më parë kërkon nga mazhoranca më shumë transparencë dhe informacion lidhur me vendimet dhe kandidatët për drejtues të institucioneve të pavarura. Pas debatit, komisioni votoi pro anëtares së re të AMF-së, kurse Harasani votoi kundër.
Top Channel