Tenderi i hetuar nga Avokati i Prokurimeve për karburantin e kaldajave, i porositur nga disa institucione, është anuluar nga Ministria e Brendshme.
Shkeljet e zbuluara nga Avokati dhe të publikuara një ditë më parë nga gazeta “Shqip” kanë shkaktuar reagimin e Ministrisë së Brendshme, e cila sqaron se tenderi pati ankesa, por me fituesin e shpallur nuk është lidhur kontrata për shkak se vendimi i qeverisë ndalonte procedurën pas datës 1 gusht. Ministria nuk sqaron shkeljet e konstatuara nga Avokati, por nga ana tjetër pranon se në tender ka pasur ankesa.
“Në lidhje me shkrimin ‘Tenderi 700 mijë USD, Ministria e Brendshme favorizoi një kompani’ të publikuar në gazetën ‘Shqip’ të datës 12.09.2011, Ministria e Brendshme sqaron se për këtë tender janë kualifikuar paraprakisht tri oferta”, sqaron ministria, duke shtuar se, Avokati i Prokurimeve filloi hetim administrativ pas ankesës së një ofertuesi në tender, hetim për të cilin mori sqarimet e nevojshme nga Drejtoria e Zhvillimit të Prokurimeve të Përqendruara.
“Këto sqarime i janë përcjellë edhe Agjencisë së Prokurimeve Publike për të vlerësuar pretendimet e Avokatit të Popullit. Më datë 10.08.2011, në bazë të VKM 472 “Për disiplinimin e fondeve buxhetore për vitin 2011, ky tender është anuluar”, thotë më tej Dikasteri i Brendshëm. Për rrjedhojë, vijon ministria, nuk ka asnjë fitues të shpallur për tenderin “Furnizimi me lëndë djegëse për kaldaja”, zhvilluar më datën 06.07.2011.
Nisur nga situata e krijuar, shteti rrezikon të punojë nën temperatura të ulëta.
Top Channel