Milan “vjedh” një pikë në Camp Nou

13/09/2011 22:45

Liga e Kampionëve ngriti siparin me supersfidën e grupit H, Barcelona-Milan të luajtur në Camp Nou. Superndeshja u mbyll në barazim 2-2 dhe të dyja skuadrat ndanë nga një pikë.

Kuqezinjtë shënuan që në sekondat e para të takimit me anë të Patos i cili falë shpejtësisë la pas mbrojtësit katalanas, kaloi topin pas shpinës së Valdes dhe bëri të heshtë Camp Nou.

Gradualisht pas këtij goli, Barcelona nis të vendosë diktatin në fushë por pa rrezikuar seriozisht portën e Milanit. Rasti më i mirë ishte një goditje e shtyllës së majtë të Abiatit nga Lionel Mesi pas një goditje dënimi. Vetëm pak minuta më vonë, argjentinasi, kalon bukur mbrojtjen kuqezi, pason për Pedron, i cili përballë portës së boshatisur e ka shumë të vështirë të gabojë. Pjesa e parë mbyllet 1-1.

Fraksioni i dytë nis sërish me Barcelonën në fushë e cila ashtu si në cdo ndeshje tregon superioritetin e saj në qarkullimin e topit. Frutet e lojës merren vetëm 5 minuta nga nisja e kësaj pjese. David Villa shënon duke kaluar në avantazh Barcelonën.

Goli ka cliruar skuadrën e Guardiolës që vazhdon të qendrojë në sulm e të kërkojë golin e tretë, ndërsa Milani mbrohej duke tentuar daljet me kundërsulm. Atëherë kur pritej fërshëllima përfundimtare, një goditje këndi për kuqezinjtë gjen Tiago Silvën që shënon bukur me kokë duke barazuar gjithcka. Ndeshja mbyllet 2-2 dhe të dyja skuadrat ndajnë nga 1 pikë. Po në barazim, por 1-1 u mbyll edhe ndeshja tjetër e këtij grupi mes Plzen dhe Bate Borisov.

Në grupin E dy gola në pjesën e dytë i dhanë fitoren 2-0 Celsit përballë Bajer Leverkusen. Sfida tjetër në këtë grup, ajo mes Genk dhe Valencias u mbyll në barazim pa gola.

Në grupin F, Dortmundi dhe Arsenal ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1, ndërsa Marseja fitoi në transfertë 0-1 me grekët e Olimpiakosit.

Porto dhe Apeol Nikosia fituan nga 2-1 përballë Zenitit dhe Shaktarit në dy ndeshjet e grupit G.

Të mërkurën luhen ndeshjet për katër grupet e para të Ligës së Kampioneve, ku bien në sy dy ndeshjet e grupit A, Mancester Siti-Napoli dhe Vilareal-Bajern Mynih.

Top Channel