Andres Iniesta, mesfushori i Barcelonës, mendon se do të ishte më mirë nëse sulmuesi kryesor i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, do të ishte në fushën e lojës në ndeshjen Barcelona-Milan, e vlefshme për fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve.
“Është mëkat që nuk luan një lojtar si Ibrahimovic sepse është kënaqësi të luash kundër futbollistëve të mëdhenj. Gjithsesi nuk mendoj se bie interesi për një ndeshje Barcelona-Milan nga mungesa e një futbollisti. Kur flitet për një lojtar si Ibra, mungesa e tij është e rëndësishme, por Milani është shumë i madh për të qenë i varur nga një futbollist i vetëm”, u shpreh Iniesta në konferencën për shtyp.
Përsa i përket gjendjes së katalanasve, mesfushori spanjoll theksoi: “Ekipi është shumë mirë. Nisim Champions-in në shtëpi përballë një kundërshtari shumë të fortë dhe kjo është një ndeshje e veçantë. Do të mundohemi të fillojmë këtë kompeticion me këmbën e mbarë. Jemi shumë të motivuar për ndeshjen e sotme në Camp Nou.”
Van Bommel: Barcelona është favorite
Mark van Bommel, mesfushori hollandez i Milanit, ka theksuar se Barcelona është favorite në ndeshjen e sotme, në Camp Nou.
“Në pesë vitet e fundit kanë fituar Ligën e Kampioneve tre herë dhe janë eliminuar në gjysmëfinale nga Interi. Do të mundohemi të luajmë sa më mirë të jetë e mundur sepse edhe Milan është një ekip i fortë”, u shpreh Van Bommel në konferencën për shtyp.
Mesfushori hollandez shprehu vlerësimin e tij për argjentinasin Lionel Messi: “Që kur luaja unë me Barcelonën ai ishte një lojtar i madh. Tani është një lojtar i shkëlqyer dhe kam mendimin se mund të përmirësohet ende.”
Van Bommel theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë problem me Iniestën, mesfushorin spanjoll me të cilin pati disa zënka në finalen e botërorit 2010.
“Nëse nesër do të luajmë të dy si titullarë do t’i jap dorën pa problem. Ajo ishte një finale botërori dhe të dy po mbronim interesat e kombëtareve tona. Nuk kam asgjë kundër tij. Iniestën e njoh që nga koha kur luaja me Barcelonën”, deklaroi mesfushori Van Bommel.
Top Channel