Lojtari i hokejit në akull, Aleksander Galimov, një nga dy të mbijetuarit e aksidentit të avionit Yak-42 që kishte në bord ekipin e Lokomotiv Yaroslavl, ndërroi jetë në një spital të Moskës ditën e sotme.
“Fatkeqësisht Aleksander Galimov vdiq ditën e sotme”, tha për agjensinë “Interfax” një zëdhënës i spitalit Vishnevski, ku ishte shtruar lojtari.
Vdekja është shkaktuar nga djegiet e shumta, sipas raportit mjekësor.
Galimov ishte i mbijetuari i vetëm mes 37 lojtarëve dhe stafit teknik të ekipit të hokejit mbi akull Lokomotiv Yaroslavl. Avioni me të cilin skuadra po udhëtonte u rrëzua pak momente pas ngritjes për arsye që ende nuk dihen.
Lojtari kishte djegie në 80% të trupit dhe kontuzione në mushkëri.
Tashmë, i mbijetuari i vetëm i aksidentit mbetet inxhinieri Aleksander Sizov, i cili ishte pjesë e stafit të fluturimit. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet jo shumë e mirë nga mjekët e spitalit Sklifosovski, në Moskë.
Top Channel