F1, Button kritikon garimin e Schumacher në Monza

12/09/2011 11:30

Jenson Button kritikoi garimin e Michael Schumacher në Cmimin e Madh të Italisë, të zhvilluar në pistën e Monzës ditën e djeshme.

Piloti britanik i McLaren Mercedes theksoi se gjermani i Mercedes GP po bllokonte shokun e tij të ekipit, Lewis Hamilton me lëvizje të parregullta.

“Mendoj se Schumacher po lëvizte shumë me Lewis. Unë pata fat që e kalova aq shpejt, por me Hamilton ai po lëvizte majtas-djathtas dhe kjo gjë nuk është e rregullt”, u shpreh Button, i cili e përfundoi garën në vendin e dytë, pas Sebastian Vettel me Red Bull.

“Ne pilotët kemi rënë dakord që të mos ndërrojmë trajektoren disa herë sepse është shumë e rrezikshmë, por duket se Schumacher e ka harruar këtë gjë”, shtoi britaniku.

7 herë kampioni i botës, Michael Schumacher, u këshillua nga shefi i tij i ekipit, Ross Brawn, të ishte më i kujdesshëm me trajektoret pasi po vëzhgohej nga komisarët e garës.

Por, Lewis Hamilton nuk hapi polemika duke deklaruar: “Kështu e ka Formula 1.”

Top Channel