Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi paralajmëroi se në ditët në vijim veriu do të përfshihet nga protestat e grupeve të ndryshme të qytetarëve serbë.

Por kjo formë reagimi, sipas tij, nuk do t’i zmbrapsë autoritetet kosovare që me 16 shtator t’i vendosin doganieret dhe policët e Kosovës në pikën 1 dhe 31.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Sigurinë, zoti Rexhepi tha se plani operacional për këtë është në fazë finale.

Pjesë e grupit punues në hartimin e këtij plani këtë herë janë, përvec autoriteteve kosovare, KFOR-i, EULEX-i, institucione të tjera ndërkombëtare, përfshirë ambasadën amerikane.

“Kemi informata se tani do të protestojnë sportistët, zjarrfikësit e artistët, por kjo nuk do të na zmbrapsë. Ne do të vazhdojmë që të kthejmë rendin dhe ligjin në veri”, deklaroi Rexhepi.

Për shkak se kjo është hera e parë që zoti Rexhepi raportoi për aksionin në veri para komisionit për siguri, ai shpalosi disa detaje rreth kësaj ngjarjeje.

Në krye të aksionit ka qenë kryeministri Hashim Thaci, ndërkohë që plani operativ është udhëhequr nga vetë ai dhe ushtruesi i detyres së drejtorit të policisë, Shpend Maxhuni.

Zoti Rexhepi pranoi se operacioni është përgatitur brenda një kohe të shkurtër. Njësia speciale, sipas tij, ka pasur vetëm dy orë kohë për t’u përgatitur.

“Kjo ka ndodhur për shkak se neve na përgjohen bisedat dhe nuk kemi dashur të dështojmë. Ju e dini se po ta kishim diskutuar gjatë, serbët do të dilnin me barrikada dhe ne do të dështonim”, sqaroi Rexhepi.

Ky prezantim i ministrit të Brendshem nuk kaloi pa vërejtjet e opozitës. Ministri i Brendshëm tha se janë konsultuar hartat, por pranoi se 70 për qind e pjesëtarëve të policisë nuk e kanë njohur terrenin e veriut.

Ai bëri të ditur se në aksionin e 25 korrikut në veri u plagosën 5 pjestarë policie. Rexhepi përshkroi këtë ngjarje duke thënë se përvec Enver Zymberit, i cili gjeti vdekjen nga një snajper, një polic tjetër u qëllua me granatë dore dhe tre të tjerë u lënduan me gurë.

Sa iu përket hapave të ardhshëm, në një raport konfidencial, i cili iu dorëzua Komisionit për Siguri, thuhet se Policia e Kosovës është e fokusuar në arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymberi dhe shkatërrimit të pikës kufitare në Jarinje.

Këtu theksohet se policia ka identifikuar rreth 20 organizata dhe grupe ekstreme kriminale të cilat tensionojnë situatën në veri.

Top Channel