Tjetër fitore për Sebastian Vettel. Piloti gjerman i Red Bull ka fituar garën për Cmimin e Madh të Italisë në Monza duke e mbyllur praktikisht garën për titullin kampion për pilotë.
Vettel kaloi finishin i pari, duke lënë pas tij Jenson Button me Mclaren në vendin e dytë dhe Fernando Alonso me Ferrari në vendin e tretë.
Kjo fitore e Vettel thellon diferencën e tij në krye të klasifikimit të përgjithshëm me ndjekësin më të afërt që tashmë është Alonso. Vettel kryeson me 284 pikë, Alonso 172 dhe Button 167.
Spektakli në pistën e Monzas mban emrin e legjendës së Formula 1, Michael Schumacher. “Shumi”, edhe pse makina e tij Mercedes nuk ndodhet në lartësinë e Mclaren, Ferrarit apo Red Bull, rivalizoi deri në fund duke u renditur i pesti. Për disa minuta, 7 herë kampioni i botës, mbajti prapa, pilotin më agresiv të Formula 1, pikërisht Luis Hamilton me Mclaren, i cili, pas shumë tentativash arriti ta parakalojë atë duke u renditur i katërti.
Top Channel