Shpëtim Duro është i vetëdijshëm për atë që e pret në sezonin e ri. Të
paktën në letër, Skënderbeu vazhdon të ketë skuadrën më të mirë të
Kategorisë Superiore.
Investimet e rëndësishme të presidentit Agim Zeqo kanë vazhduar edhe gjatë merkatos së verës dhe natyrisht që pritshmëria nga drejtuesit e klubit, por edhe nga tifozeria korçare është e madhe. Tekniku, që gjatë sezonit të kaluar e mori klubin pothuajse pa shpresa në luftën për titull dhe në fund u dhuroi “ujqërve të dëborës” kampionatin, nuk i trembet sfidës së radhës. Natyrisht që objektivi kryesor mbetet konfirmimi si kampionë të Shqipërisë. “Kam besim të plotë te skuadra dhe mendoj se do të përsërisim suksesin e sezonit të kaluar, ku fituam titullin kampion. Skuadra është e kompletuar me afrimet e realizuara në merkaton e verës dhe natyrisht që nëse nuk realizojmë objektivat e përcaktuara, kjo do të thotë që në radhë të parë përgjegjës jam unë”, deklaroi Duro.
Trajneri mendon se skuadra e tij është gati për sezonin e ri, edhe sepse Skënderbeu përgatitet prej tre muajsh. Ai shtoi: “Kemi bërë një punë të gjatë, por të mirë gjatë kësaj periudhe dhe jemi gati që të nisim garën në sezonin e ri. Skuadra stërvitet prej afro tre muajsh, kjo është një përgatitje shumë e gjatë, por ndihemi mirë fizikisht dhe psikologjikisht. Gjithashtu, kemi pasur kohë që të përmirësohemi dhe të përshtatemi taktikisht”. Për sa u takon rivalëve direkt në këtë sezon, Duro tha: “Edhe pse duket sikur kanë probleme, kundërshtarët tanë janë mjaft të fortë. Rivalët direktë do të jenë Tirana, Flamurtari dhe Vllaznia, por rivaliteti në këtë kampionat pritet të jenë mjaft i madh dhe asnjë nga skuadrat e tjera nuk duhet nënvlerësuar”.
Top Channel