Beckham kërkohet në Angli

09/09/2011 12:45

Vitet kalojnë, por David Beckham vazhdon të jetë i kërkuar në tregun e futbollistëve, sidomos atë anglez.

Mesfushori i Los Angeles Galaxy po ndiqet nga Tottenham dhe QPR. Harry Redknapp, trajneri i Tottenham, u shpreh për ‘The Sun’: “Nëse Beckham kërkon të rikthehet në Premier League, do ta prisja me krahë hapur.”

Shpejtësia dhe forma fizike nuk janë më ato të viteve të arta, por 36-vjeçari ka ende admirues të lojës së tij.

“Ai është ende në gjendje të luajë në Premier. Nuk ka rëndësi nëse ka humbur ose jo shpejtësinë. Beckham është një lojtar që ka një cilësi pasimi të jashtëzakonshme. Ka shumë talent dhe është gjithashtu një shembull për të rinjtë”, shtoi Redknapp.

Vitin e kaluar, David Beckham është stërvitur me lojtarët e Tottenham Hotspurs, por nuk luajti me ta sepse nuk u arrit marrëveshja me amerikanët e Galaxy.

Këtë herë gjërat janë ndryshe: kontrata e Beckham me Los Angeles Galaxy skadon në vitin 2012 dhe mesfushori nuk ka vendosur ende ku do të vazhdojë karrierën e tij.

Top Channel