Skela, agresion arbitrit pas turpit në Luksemburg

08/09/2011 12:35

Turpërimi 2-1 në fushën e Luksemburgut është shoqëruar me polemika dhe
episode mjaft të rënda gjatë takimit të luajtur në stadiumin “Josi
Barthel”.

Përveç zhgënjimit për rezultatin, të gjithë futbollistët kuqezinj, por edhe stafi teknik dhe drejtuesit e federatës kanë qenë të zemëruar me gjyqtarin e ndeshjes, finlandezin Peteri Kari. “Bilbili” është bërë protagonist në disa raste me vendimet e tij, duke shkaktuar nervozizëm në fushë, por edhe në tribuna. Por, gjithçka arriti kulmin në përfundimin e takimit në Luksemburg, në dhomat e zhveshjes. Në gjaknxehtësi e sipër, Ervin Skela ka humbur kontrollin dhe pasi ka debatuar dhe ofenduar arbitrin në ambientet e brendshme të stadiumit, më pas ai i ka vendosur edhe duart në fyt.

Kontestimet e përfaqësueses kuqezi për gjykimin nisën pikërisht në fundin e pjesës së parë, kur arbitri Peteri Kari i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes, duke mos lejuar që Shqipëria të ekzekutonte një goditje këndi. Një vendim që solli menjëherë kontestimet e Lalës, Skelës dhe lojtarëve të tjerë, që e cilësonin këtë si një mundësi për të shpresuar në golin e barazimit, pasi Luksemburgu kishte zhbllokuar rezultatin në të 27-ën me Betmer. Në pjesën e dytë, pretendimet e shqiptarëve vazhduan fillimisht me disa goditje dënimi të diskutueshme për vendasit dhe më pas me kartonin e kuq për Ansi Agollin në minutën e 53-të. Pas një dueli me Levek në fundore, mesfushori shqiptar ka hapur krahun pasi kundërshtari po e mbante vazhdimisht nga fanella: një gjest që është cilësuar si anti-sportiv nga arbitri finlandez, i cili e largoi Agollin nga fusha me kartonin e kuq direkt. Vendimet e diskutueshme nga “bilbili” finlandez, që si profesion është oficer në Komandë Navale ku punon si instruktor sportiv, kanë vazhduar, duke nxitur kontestimet e Bakajt, Bogdanit, Lalës dhe lojtarëve të tjerë. Madje, kontestimet kanë ardhur edhe nga tribuna, nga kreu i FSHF-së, Armand Duka, që është çuar nga vendi i tij në tribunën “VIP” dhe ka bërtitur kundër arbitrit. Gjithçka u vulos me kartonin e kuq të Erjon Bogdanit në minutën e 85-të, ku u vulos edhe kapitullimi, që është një prej më të turpshmit në historinë e futbollit shqiptar.

Pas gjithë episodeve që ndodhën në fushë, në fundin e takimit në Luksemburg, Ervin Skela e ka pritur gjyqtarin Peteri Kari në korridorin e dhomave të zhveshjes dhe pasi e ka akuzuar për gjykim tendencioz në dëm të Shqipërisë, 34-vjeçari e ka dhunuar bilbilin. Mesfushori vlonjat i ka kërkuar shokëve të skuadrës që askush të mos bënte ndonjë veprim kundër arbitrit, duke qenë se në raste të tilla rrezikohet skualifikimi i gjatë nga UEFA dhe ka marrë përsipër që të jetë ai kuqeziu që do të nxirrte inatin. Kjo, edhe për faktin se Skela do t’i japë lamtumirën futbollit të luajtur dhe ekipit kombëtar, duke qenë se vazhdon të jetë pa skuadër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA