Sikur të mos mjaftonte kriza në arkën e shtetit, reduktimi i buxhetit dhe mungesa e fondeve, tashmë institucionet e shtetit janë duke u përballuar me një tjetër fenomen: përmbarimin privat.
Deri dje, administrata publike i anashkalonte vendimet e gjykatave duke zvarritur ekzekutimin, pasi përballë tyre qëndronte përmbarimi shtetëror.
Por me ndryshimin e ligjit dhe liberalizimin e këtij shërbimi, tashmë shumë shoqëri private e ofrojnë funksionin e përmbaruesit, të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.
Në këto kushte, kur kanë kaluar plot një vit nga zbatimi i rregullave të reja, shumë ministri janë vendosur në situatë të vështirë financiare, pasi përmbarimi privat nuk toleron mosekzekutimin e një vendimi gjyqësor.
Gazeta “Shqip” mëson përmes Ministrisë së Financave se disa dikastere kanë probleme me arkën, pasi përmbarimi ka bllokuar zërin “shpenzime korente”, aty ku kalojnë kostot për udhëtime, dietat, materialet e punës së përditshme etj.
Ligji përcakton qartë të drejtën dhe funksionin e një shoqërie private përmbaruese, e cila ka dorë të lirë të ndërhyjë në financat e çdo institucioni shtetëror.
Situata problematike lidhet me gjyqet e humbura nga ana e shtetit, si për largimet nga puna, mosmarrëveshjet me biznesin, etj., të cilët e çojnë çështjen në gjykatë për të fituar të drejtën.
Mësohen se janë me qindra milionë lekë të bllokuara dhe se ministritë nuk janë në gjendje të zhbllokojnë buxhetin, për shkak të së drejtës që ligji i jep përmbarimit.
Në këto kushte të vështira, Kryeministri Berisha, në bashkëpunim me ministrin e Financave hartuan një udhëzim të posaçëm, ku dëmin për humbjen e gjyqit institucionet do ta paguajnë me këste, duke shmangur në një farë mënyrë ngërçin financiar.
Pronat e mafias, qeveria në vështirësi
Në kushtet e vështirësisë për të sekuestruar pronën si e drejtë që rrjedh nga vendimi gjyqësor apo ato administrative, qeveria kërkon ndihmën e shoqërive private përmbarimore.
Vendimi është marrë dje në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave dhe konsiston në rishikimin VKM, miratuar në korrik të vitit 2010,
“Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, dhe të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të përmbarimit gjyqësor”.
Sipas gazetës “Shqip”, vendimi thotë se, dorëzimi i pasurisë së revokuar te pronari i pasurisë bëhet sipas procedurave të Kodit të Procedurës Civile dhe shoqërohet me dokumentacionin përkatës, të cilin përmbaruesi gjyqësor e merr nga administratori i pasurisë.
Në rastin e mosmarrjes në dorëzim të pasurisë nga pronari i saj, me kalimin e afatit 30-ditor nga data e marrjes së njoftimit të aktit të revokimit të pasurisë së sekuestruar/konfiskuar, Agjencia i kërkon gjykatës, që ka vendosur revokimin e aktit, heqjen nga administrimi i saj të pasurisë së sekuestruar dhe/apo konfiskuar”.
Agjencia përjashtohet nga pagesa paraprake e shërbimit për ekzekutimin e vendimit të sekuestrimit/konfiskimit, kurse tarifat e përcaktuara në këtë vendim aplikohen dhe për pagesat e shërbimeve përmbarimore, të cilat nuk janë kryer nga Agjencia deri në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi”.
Top Channel