Hokej, rithemelimi i Lokomotiv Yaroslavl

08/09/2011 09:40

Dhjetëra lojtarë rusë të hokejit mbi akull janë treguar të gatshëm të rithemelojnë ekipin e Lokomotiv Yaroslavl, që humbi pothuajse të gjithë lojtarët e tij në aksidentin e djeshëm ajror.

Njoftimi erdhi nga presidenti i Ligës Kontinentale të Hokejit, Aleksander Medvedev.

“Mendoj se ekipet e Ligës do të lejojnë lojtarët e tyre të bëhen pjesë e ekipit të ri”, tha Medvedev.

Gjithashtu ai nuk përjashtoi mundësinë që edhe lojtarë të rinj të zëvendësojnë sportistët që humbën jetën nga rrëzimi i avionit.

“Do të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që ekipi të luajë kampionatin dhe play-off-in”, theksoi shefi i ligës.

Avioni në të cilin udhëtonin 37 pjesëtarë të ekipit të hokejit mbi akull të Lokomotiv Yaroslavl, u rrëzua pak pas ngritjes për arsye që ende nuk janë bërë të ditura.

Bota e hokejit, në zi për ekipin rus 

 

Rusia dhe e gjithë bota e hokeit po mbajnë zi për vdekjen e 36 lojtarëve dhe zyrtarëve të ekipit të Lokomotivës së Jaroslavlit në një incident ajror.

Autoritetet e sportit të hokeit e kanë cilësuar incidentin në Jaroslavl si “ditën më të zezë të historisë së këtij sporti”.

Avioni tip “Yak-42” u rrëzua vetëm pak momente pasi ishte ngritur në ajër dhe menjëherë u përfshi nga flakët.

Në total në bordin e tij ndodheshin 43 persona, përfshirë lojtarët më të mirë të Rusisë dhe Evropës, të cilët humbën jetën. Vetëm dy vetë mbijetuan.

Të 11 lojtarët e huaj dhe trajnerët që ishin në bord mbetën të vrarë. Mes tyre spikasin emrat e trajnerit kanadez Brad McCrimmon, sulmuesit suedez Stefan Liv dhe disa lojtarë nga Bjellorusia, Republika Ceke, Gjermania, Latvia, Sllovakia dhe Ukraina.

Lojtari rus që i mbijetoi aksidentit, Alexander Galimov, ka pësuar djegie në 80 për qind të trupit, bashkë me një anëtar të ekuipazhit të avionit, i identifikuar si Alexander Sizov.

Skuadrat e shpëtimit kanë nxjerrë deri tani 35 trupa të pajetë, 12 prej të cilëve janë identifikuar. Motivet e rrëzimit po hetohen, por mediat ruse shkruajnë se avioni mund të ketë goditur një antenë radioje.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA