Fernando Alonso, piloti i Ferrarit, ka deklaruar se në vitin 2012 skuderia italiane duhet të fillojë të fitojë që në fillim të kampionatit botëror të Formulës 1 dhe për të arritur këtë “Kokëkuqja” do të fillojë punën që tani për tu përgatitur për sezonin e ardhshëm.
Spanjolli gjithashtu theksoi se po pret me emocion garën e kësaj fundjave që do të zhvillohet në Itali, shtëpinë e Ferrarit.
“Kur vjen në Monza si pilot i Ferrarit ndjen mbështetjen e tifozëve që kur arrin në hotel. Më pas, kur fiton, ndjen entuziazmin e të gjithë tifozëve italianë dhe ndihesh mirë kur i sheh të lumtur. Vitin e kaluar, kur fitova me Ferrarin ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme”, u shpreh dy herë kampioni i botës në konferencën e shtypit para fundjavës së garës.
Alonso vendosi edhe objektivat e Ferrarit për këtë garë: “Duam të fitojmë këtë garë siç bëmë vitin e kaluar. E dimë që këtu kemi një makinë kompetitive sepse Monza është një pistë ndryshe nga të tjerat dhe duhet një konfigurim aerodinamik ndryshe.”
Top Channel