Balotelli nën hetim nga antimafia

08/09/2011 13:45

Hetuesit e antimafias në Itali duan të marrin në pyetje lojtarin e
Manchester City, Mario Balotelli lidhur me një vizitë që ai bëri në një
zonë të kontrolluar nga mafia në qytetin e Napolit.

Prokurorët deklarojnë se duan të pyesin mbi kontaktet e mundshme që ai mund të ketë padashur me mafian napoletane, të njohur me emrin Camorra.

Kërkesa e prokurorëve lidhet me një hetim shumë më të gjerë që ka të bëjë me pastrimin e parave.

Për momentin nuk ka ndonjë provë që të tregojë se Balotelli ka kryer ndonjë krim dhe ai vetë shprehet i hapur për të folur me hetuesit.

Por dyshimet e këtyre të fundit janë ngritur pasi futbollisti u fotografua në praninë e dy gangsterrëve të njohur gjatë një vizite në një burg të Fierences me lojtarët e tjerë të kombëtares italiane.

I lindur në Itali nga prindër ganezë, por i adoptuar nga një familje italiane kur ishte ende i vogël, Balotelli është një ndër të pakët lojtarë me ngjyrë që vesh fanelën e kaltër të kombëtares italiane.

Por ai nuk është futbollisti i parë, që nëse është e vërtetë, ka lidhje me organizatat kriminale.

Legjenda argjentinase e futbollit, Diego Armando Maradona, ka qenë i njohur për lidhjet e tij të ngushta me kumbarët e Camorra-s gjatë kohës që luante për Napolin në vitet ’80.

Top Channel