Francesco Totti, kapiteni veteran i Romës, u bëri thirrje shokëve të tij të ekipit që të mbështesin trajnerin e ri të ekipit italian, Luis Enrique.
“Tashmë janë kthyer të gjithë lojtarët nga impenjimet e tyre me kombëtaren dhe kemi rifilluar stërvitjen. Kemi shumë lojtarë të rinj këtë vit dhe duhet që të gjithë të mbështesim trajnerin e ri në mënyrë që të fillojmë sa më mirë kampionatin”, ka shkruar Totti në faqen e tij në internet.
“Të dielën nisim kampionatin ndaj Cagliari në fushën tonë dhe duhet të përpiqemi ta nisim sa më mirë”, shton Totti.
Është hera e parë që kapiteni i Romës flet publikisht që nga koha kur dolën zëra për mosmarrëveshje mes tij dhe trajnerit Luis Enrique për shkak të minutave të pakta që spanjolli i dha Tottit në ndeshjet eliminatore të Europa League, kompeticion nga i cili Roma tashmë është eliminuar.
Luis Enrique pati deklaruar se do t’i trajtonte të gjithë futbollistët njësoj dhe se do të aktivizonte lojtarët më në formë duke shkaktuar një ftohje të marrëdhënieve me kapitenin legjendar të Romës.
Top Channel