Spanja, Xavi thyen rekordin e Raul

07/09/2011 11:20

Xavi Hernandez, mesfushori i Barcelonës, është shndërruar në lojtarin e fushës me më shumë ndeshje ndërkombëtare me Spanjën pasi dje ka luajtur takimin e 103-të me kampionët në fuqi të botës, duke kaluar kështu rekordin e Raul me 102 ndeshje.

Xavi tashmë synon të arrijë portierët Andoni Zubizarreta (126 ndeshje) dhe Iker Casillas, i cili luajti ndeshjen e 124-t në fitoren e djeshme të Spanjës me rezultatin 6-0 ndaj Lihtenshtejnit.

Mesfushori katalanas ka debutuar më 15 nëntor të vitit 2000 me kombëtaren spanjolle, në një takim ndaj Hollandës. Që nga ajo kohë Xavi ka qenë pjesë e “La Roja”-s në botërorët Kore-Japoni 2002, Gjermani 2006 dhe Afrikë e Jugut 2010 si dhe në kampionatet europiane Portugali 2004 dhe Austri-Zvicër 2008.

Gjithashtu, Xavi ka shënuar 10 gola në 103 ndeshjet me Spanjën dhe ka fituar dy trofe të rëndësishëm: Europianin e vitit 2008 dhe Botërorin e vitit 2010.

Top Channel