Një tifoz uellsian ka vdekur mbrëmjen e kaluar jashtë stadiumit Uembli të Londrës para fillimit të ndeshjes së futbollit mes Anglisë dhe Uellsit, e vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian Euro 2012, faza finale e të cilit do të zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni verën e ardhshme.
Sipas Reuters, tifozi 40-vjeçar u plagos në kokë gjatë disa përleshjeve para fillimit të ndeshjes dhe ndërroi jetë rreth orës 20.50 të ditës së djeshme në një spital londinez.
Gjashtë tifozë të tjerë uellsianë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, janë arrestuar nga policia e Londrës për të dëshmuar mbi incidentet në të cilat u përfshinë në rrethinat e stadiumit legjendar britanik.
Ndeshja mes Anglisë dhe Uellsit përfundoi me rezultatin 1-0 për kombëtaren e Tre Luanëve. Goli për skuadrën e drejtuar nga Fabio Capello u shënua nga mesfushori i Manchester United, Ashley Young në minutën e 35.
Anglia kryeson grupin G me 17 pikë e ndjekur nga Mali i Zi me 11, Zvicra me 8, Bullgaria me 5 dhe Uellsi me vetëm 3 pikë.
Top Channel