Kuzhe: T’ia nisim nga e para

07/09/2011 15:40

Pas humbjes së djeshme 2-1 me Luksemburgun, kuqezinjtë kanë mbërritur në Tiranë rreth orës 3 të mëngjesit të së mërkurës, kokëulur, të shpërndarë e pa gjysmën e lojtarëve që ishin nisur menjëherë për në vendet e tyre ku jetojnë.

Trajnerit Kuzhe nuk i mbetet gjë tjetër veç të pranojë atë që pamë të gjithë.

“Një ditë e pafat për ne. Bëm disa gabime dhe nuk luajtëm mirë. Në pjesën e dytë kishim disa momente të mira, por kartoni i kuq prishi gjithçka. Për mendimin tim Shqipëria duhet të mësojë nga kjo ndeshje”, është shprehur Kuzhe.

Ka qenë një skuadër e lodhur me pak raste kjo e Kuzhes, e kushtëzuar edhe nga mungesat e lojtarëve kryesorë si Cana, Dallku, Curri dhe Lila dhe nga stërmundimi me Francën.

“Në mënyrë të menjëhershme duhet të fillojmë nga fillimi. Duhet të grumbullojmë lojtarë të rinj dhe formojmë një kombëtare të re. Na duhet të provojmë gjëra të reja pas eksperencies në këtë eleminatore”, theksoi Kuzhe.

Pavarësisht të gjithave, vazhdon të flitet për një rinovim lojtarësh, por ende nuk dihet se përse nuk ishte bërë deri më tani dhe pse pritej sërish një moment i tillë që gjithnjë e më shumë pas çdo edicioni eliminatoresh po kthehet në një “déjà vu”.

Ndërkohë Kuzhe, edhe pse nuk jep një shpjegim se përse nuk ka zëvendësues dhe përse nuk janë gjetur deri më tani lojtarët e rinj, as që e diskuton dorëheqjen.

“Deri tani nuk kam menduar për pozicionin tim, duhet të mbyllim edhe dy ndeshjet e ardhshme. Por do të shohim”, tha Kuzhe.

Megjithatë ky ishte një rezultat i papranueshëm, një moment i vështirë për kuqezinjtë, një paraqitje shumë larg asaj që pritej dhe e pajustifikueshme.

Jemi të parafundit sërish në grup me 8 pikë, 3 humbje rradhazi që prishën ëndrrën që besuan të gjithë në fillim të edicionit, gjithçka duket drejt një fundi të hidhur sa i përket rezultateve, lojtarëve që po largohen pa zëvendësues dhe një trajneri që mendon se duhet filluar nga e para, por sërish me të në timon.

Top Channel