Shqipëria: Luksemburgu, sfida jonë

06/09/2011 10:00

“Luksemburgu është sfida jonë e vërtetë”. Kjo është bindja që mbizotëron
në radhët e Kombëtares shqiptare, kur kanë mbetur vetëm pak orë nga
sfida e sotme me ekipin e vendit të fundit në Grupin D.

Në skuadër e kanë harruar humbjen e së premtes së kaluar me Francën, pavarësisht se ekzistonin të gjitha shanset që kuqezinjtë të merrnin të paktën një barazim, ashtu sikurse edhe humbja mund të kishte qenë më e thellë. Një pikë përballë “gjelave” do të ishte një plus në kualifikueset e Euro 2012, ndërkohë që fitorja me Luksemburgun është një detyrim për Shqipërinë. Por, edhe pse përfaqësuesja modeste ka marrë vetëm 1 pikë në këto eliminatore, fakti që ata i kanë rrëmbyer një barazim në shtëpi Bjellorusisë, i bën një rival që nuk duhet nënvlerësuar. Gjithashtu, nuk duhet harruar që skuadra e drejtuar nga Josip Kuzhe ka fituar 1-0 me vështirësi në stadiumin “Qemal Stafa”, në përballjen e luajtur në shtator 2010.

Për të konfirmuar se humbja me Francën ishte e pranueshme dhe për të riktheksuar rëndësinë e sfidës në Luksemburg, skuadra është takuar nga zyrtarët e lartë të FSHF-së. Këta të fundit kanë kërkuar impenjimin maksimal nga të gjithë lojtarët, për të marrë pikët maksimale në këtë ndeshje. Bisedat kanë shërbyer për të rritur edhe optimizmin brenda ekipit, pavarësisht mungesave të shumta. Shqipërisë i duhet të bëjë në këtë ndeshje pa pesë lojtarë, Andi Lila, Lorik Cana dhe Armend Dallku që janë të skualifikuar dhe Debatik Curri e Ervin Bulku të dëmtuar. Me mbrojtjen e përgjysmuar, trajneri Kuzhe do të spostojë Kristi Vangjelin në krahun e djathtë, Franc Veliu do të luajë titullar në qendër të mbrojtjes përkrah Admir Telit, ndërsa Ansi Agolli është sprapsur në repartin difensiv. “Jemi të motivuar për ta fituar këtë ndeshje, pasi nuk duhet t’i dhurojmë asgjë Luksemburgut. I shqetësuar për mungesat në mbrojtje? Do të bëjmë më të mirën në këtë repart me lojtarët që kemi në dispozicion, natyrisht që mungesa e kaq shumë lojtarëve nuk është e mirë, por ne kemi besim te futbollistët që kemi në dispozicion. Vangjeli mund të luajë në të djathtë, Agolli është një lojtar që mund të luajë fare mirë në mbrojtje, ndërsa ky është shansi i Veliut”, tha Kuzhe.

Në mesfushë do të luajnë “veteranët” Skela, Lala dhe Duro, me të rinjtë Hyka, Bakaj apo Lika që presin shansin e tyre në stol. mes rezervave do të qëndrojë edhe sulmuesi Ahmed Januzi, një prej lojtarëve më në formë në repartin ofensiv. Tekniku kroat ka zgjedhur të luajë me treshen sulmuese Salihi-Bogdani-Kapllani. Ai e ka argumentuar këtë vendim, duke pohuar: “Në sulm përkrah Salihit dhe Bogdanit, titullar do të luajë Kapllani, pasi mendoj se ai është një lojtar më i rrezikshëm brenda zonës. I kam parë të gjitha ndeshjet e Luksemburgut dhe mund të them se ata kanë një mbrojtje mjaft të mirë. Për këtë arsye duhet të shfrytëzojmë të gjitha shanset që na krijohen dhe të mundohemi të zhbllokojmë sa më shpejt rezultatin”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA