Njerëzit shfaqen grupe-grupe, të kapur dorë për dore me fëmijët, me sytë
e ngulitur lart. Këtë ritual e përsërisin prej dhjetë vjetësh.
Por sot është një ditë e veçantë. Është dita e opozitës. Një opozitë e heshtur, e përmbajtur dhe shumë e vendosur. Kisha e Shën Ritës, “avokati i të pamundurës”, siç thuhet në mbishkrimin e vendosur poshtë këmbëve të ikonës fetare, është mbushur plot e përplot me të rinj dhe të moshuar, por më shumë është e populluar nga gratë. Të gjitha kanë veshur nga një rrobë të bardhë: është ngjyra e armëpushimit, paqes, kujtimit dhe e një proteste të heshtur. Askush nuk e pohon, sepse të gjithë e dinë.
Çdo të diel, në këtë kishë, që ndodhet në një nga zonat më të kontrolluara të gjithë Havanës dhe Kubës, mblidhen të gjitha gratë, nënat, motrat e shumë të burgosurve politikë. Flasin, luten, rrëfehen, blejnë lule dhe qirinj. Shkëmbejnë me njëra-tjetrën ndonjë informacion të shkurtër, nën shikimin e pandarë të policëve që mbikëqyrin zonën me kujdes.
Pastori don Felipe ia dedikon meshën solidaritetit. Me shumë kujdes u shton fjalëve të tij fraza që kujtojnë një problem të trajtuar pjesërisht (79 kundërshtarë të lëshuar në 2003-shin) dhe gjithnjë të injoruar nga regjimi. Mes besimtarëve vërehet një gjendje e tensionuar. Gratë i hedhin shikime të shpejta njëra-tjetrës, pëshpëritin, bëjnë gjeste: mesa duket, është ankthi i pritjes për një ndryshim.
Regjimi i Fidel Kastros, që lindi si pasojë e revolucionit kundër diktatorit Fulgensio Batista, rreshteri i cili të magjepste me oratorinë e tij, por që i dha udhë kazinove, mafies italo-amerikane dhe e shndërroi ishullin më të afërt të Amerikës në një bordello në qiell të hapur, duket se ka filluar të lëkundet. Për më shumë se tre vjet në krye të presidencës, Raul Kastro Ruz nuk ka arritur t’i përmbushë reformat e premtuara. Është marrë më tepër me një iniciativë të vogël private, ka hapur kanalet e televizioneve botërore dhe internetin. Nuk ka mundur të manovrojë borxhin, ngërçin absurd ekonomik që prej gjysmë shekulli po i merr shpirtin “perlës” së Karaibeve. Vëllai i liderit të madh të Kubës i ka zhgënjyer të gjithë: “të fortët”, militantët e vjetër komunistë; të rinjtë, që enden sa andej-këndej në kërkim të një ëndrre të re drejt horizontit të largët.
Zërat rreth gjendjes shëndetësore të Fidelit, për të cilin thuhet se është në prag të vdekjes, kanë shqetësuar lidershipin kuban, por edhe kryetarët e vendeve perëndimore mbështetëse. Ka gjasa që gjendja të jetë përkeqësuar. Gjërat nuk po shkojnë mirë as në bursë, madje tri ditët e fundit është vënë re një luhatje e të dhënave, gjë që po pasqyrohet edhe në ndryshimin e çmimit të nikelit, bakrit dhe drurit. Megjithatë, janë thjesht zëra. Askush nuk është në gjendje ta pohojë. Skeptikët i karakterizojnë si spekulime të kota. Mbesa e tij thekson se xhaxhai i saj gëzon shëndet të plotë dhe lëviz, se lajmi që komandanti i madh ka zënë krevatin është gënjeshtër. Edhe Hugo Çavez, i prekur nga një tumor, është shprehur se ka marrë një mesazh mbështetës nga Fideli. “Donte të dinte gjithçka rreth meje, madje edhe sa herë shkoj në banjë”, – pohon Çavez.
Mesa duket, kjo është loja e palëve. “Ne kubanët do të jemi të fundit që do ta marrim vesh”, – thotë një “blogere” e famshme kubaneze, e cila nuk pajtohet aspak me lojën e politikanëve. Madje, para pak ditësh gruaja kish shkruar edhe një shprehje në faqen e saj zyrtare të internetit lidhur me këtë çështje: “Janë një mijë milingona që po e shkatërrojnë murin”. Tre përfaqësues të “ETA”-s, që kishin hipur në një anije me vela për t’ia mbathur drejt Venezuelës, u sollën në Kubë. Ishin nga 20 vjeç. Në një letër, të rinjtë kishin shkruar: “Nuk mundeshim më. Autoritetet kubane janë të pamëshirshme”.
Po të ecësh nëpër rrugët e kryeqytetit, diçka vërehet. Policia është më e pranishme se zakonisht. Kontrollon në mënyrë ngulmuese, shfaq një nervozizëm të pazakontë, duket sikur situata po i del jashtë kontrollit. Hapja e portave pas 52 vjetëve izolim mund të shkaktojë një erë të fuqishme, që rrezikon të kthehet në uragan. Shpirti i një ekonomie që po shkon drejt shkatërrimit mbetet turizmi. Por nëse fjala turizëm do të thotë miliona të huaj që vijnë në këtë ishull të mbushur plot kulturë, muzikë, art, magji, shkencë, ngjyra, këtu ka kuptim krejt tjetër, quhet rrezik. Vendasit të ndalojnë rrugës. Duan të pyesin, të kuptojnë, të dinë. Por të shkëmbesh dy fjalë me një “yuma”, siç i quajnë kubanët turistët, mund të arrestohesh. Sigurisht, këtu përfshihen ndalimi, kontrolli i dokumenteve, pyetjet për një informacion të përgjithshëm.
Dy djem të rinj, në një nga lagjet e Kubës u morën në pyetje nga dy policë, pasi u ndanë nga një grup turistësh. Ata dëshironin të dinin për jetën jashtë Kube. Kuriozitete, por edhe gjëra shumë të rëndësishme: ishin të interesuar për futbollin, shkollën, punën, jetën që mund të gjenin pas horizontit të zi të detit. Por duke iu përmbajtur ligjeve të vendit, kjo gjë quhej “krim”.
Djemtë u gëzoheshin parave që mund të kishin nëse dilnin jashtë shtetit, rrogave të larta krahasuar me 1 dollar në ditë për 12 orë punë nëpër kantieret e ndërtimit në Kubë; vështirësive për të mbijetuar, sepse benzina e pakët e dhënë nga Çavezi kushton 1 euro për litër; dhunës dhe turpit, sepse gjatë ditës vajzat bëjnë sikur punojnë, ndërsa natën prostituojnë për t’u blerë shtëpi prindërve, për të pasur një celular të ri e për t’u veshur sipas modës. Kur hyn në një diskotekë, burrat i nënshtrohen kontrollit për armëmbajtje pa leje; grave u kontrollohen çantat për të parë nëse fshehin ndonjë prezervativ.
Para dy ditësh vdiq gjenerali Hulio Kasas Rigueiro, ministër i Mbrojtjes, figurë e shquar e lidershipit kuban. Në moshën 75-vjeçare u shua edhe një prej mbështetësve të revoltës kundër Batistës. Do të ketë tri ditë zie. Me sa duket, vdekja e tij do të “zgjojë” fantazma të reja. Hiri i tij do të qëndrojë për pak orë poshtë monumentit në sheshin e revolucionit. Pritet që të grumbullohen shumë njerëz. Presidenti Raul Kastro duhet të paraqitet medoemos. Ndoshta do të shfaqet edhe vëllai i tij i madh, Fideli. Kjo do të ishte gjëja më e mirë për të përgënjeshtruar zërat që qarkullojnë rreth gjendjes së tij shëndetësore. Por do të ishte më mirë nëse nuk do të shfaqej, sepse kjo do t’i hapte rrugë një ndryshimi të vërtetë.
Top Channel