Shorti i Superligës shqiptare

05/09/2011 19:50

Është hedhur shorti i sezonit 2011/2012 i shtyrë disa herë në këtë sezon për shkak të problemeve me statusin të klubeve shqiptare.

Megjithatë mbledhja e fundit e komitetit ekzekutiv vendosi që shorti të hidhet pavarësisht se 2 nga skuadrat e Superligës, Tirana dhe Flamurtari ende nuk kanë ndryshuar statusin e tyre.

Për to është vendosur që të ketë një afat të dytë deri në mesin e muajit tetor, nëse nuk do të përmbushet sërish një gjë e tillë, atëherë të dyja këtyre skuadrave do t’i zbriten nga 10 pikë.

Ndeshjet e para të Superligës që do të zhvillohen fundjavën e ardhshme nuk kanë ndonjë përballje të forte.

Kampionët në fuqi të Skënderbeut do të përballen me skuadrën e sapo ngjitur në Superligë Tomorrin në Korçë, ndërkohë Tirana luan përball Teutës, Vllaznia do të presë Laçin, Bylisi do të luajë me Shkumbinin, Apollonia me Dinamon, Flamurtari me Kamzën dhe Kastrioti me Pogradecin.

Përballja e parë e fortë për kampionët e Skëndërbeut do të jetë në javën e dytë kur do të vijë në kryeqytet për të luajtur kundër Dinamos, ndërsa në javën e tetë luan përball Tiranës, ndërsa një javë më pas do të udhëtojë për në Vlorë, ku do të luajë përball nënkampionëve të Flamurtarit, ndeshja që mbylli edhe sezonin e shkuar.

Sa i përket skuadrave kryeqytetase derbi i parë mes Tiranës dhe Dinamos do të jetë në javën e dhjetë.

Megjithatë ditën e martë do të përcaktohet përfundimisht se çfarë do të ndodh me javën e parë të Superligës, pasi Flamurtari ka fushën e dënuar për 4 javë nga ndeshja e fundit të sezonit të shkuar dhe pret vendimin e apelit, ndërsa Kastrioti ende nuk i ka përfunduar ndryshimet në stadium ashtu si edhe Bylisi i cili ka të njëjtin problem.

Ky sezon i Superligës do të ketë vetëm dy faza dhe 14 skuadra, ndryshe nga edicionet e shkuara, në fund të këtij edicioni 2 skuadra e fundit do të zbresin menjëherë nga kategoria, ndërkohë që tre të tjera do të zhvillojnë ndeshjet playout për të vendosur fatin e tyre.

Sa i përket kupave të Europës gjithçka mbetet si më parë, skuadra kampione do të luajë në eliminatoret e Champions League dhe 3 skuadra të tjera në Europa League, vend i dytë dhe i tretë bashkë me fituesin e kupës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA