Çmimet e Festivalit në Durrës

03/09/2011 18:10

Filmi “Vincere” i regjisorit italian Marco Bellochio ka rrëmbyer trofeun “Gladiatori i artë” në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, në Durrës dhe bashkë me të dhe çmimin për aktoren më të mirë.

Filmi “Të fitosh” i bazuar në jetën e gruas së parë të Benito Musolinit, Ida Dalser, rol i luajtur me mjeshtëri nga aktorja Giovanna Mezzogiorno u vlerësua si filmi më i mirë i edicionit IV të festivalit në të gjithë komponentët e tij.

“Nga të gjitha filmat që pamë dhe kam thënë që kemi parë shumë filma të mirë, ky është ai që me shumë sukses arriti që të përdorë të gjithë gjuhën filmike. Të gjithë elementët e saj, skenarin, performancën, kinematografinë, kolonën zanore, për të na treguar se një histori që ishte shumë epike, por edhe shumë personale”, është shprehur Nick Powell, president i jurisë së festivalit.

Trofeun e festivalit e dorëzoi kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

Ndërkaq, çmimi “Aktori më i mirë” i festivalit shkoi për aktorin Sergio Hasselbaink në filmin hollandez “Sonny boy”, film që është përzgjedhur dhe si pjesëmarrës në festivalin e ardhshëm të Kanës.

Regjisori më i mirë u vlerësua polaku Lech Majevski me filmin “Mulliri dhe Kryqi”. Çmimi special i festivalit shkoi për filmin çek “Në largim”, kushtuar ish-presidentit Vaclav Havel, ndërsa në kategorinë e filmave ballkanikë fitoi prodhimi kroato-serb “72 ditë”.

I vetmi shqiptar që mori një çmim në këtë edicion të FestFilmit të Durrësit ishte Fatjon Xhiku, student i Akademisë së Arteve të Bukura në Tiranë.

Ai u vlerësua me çmimin “Bukuroshja e Durrësit” për filmin “Lajm” në kategorinë e filmave të shkurtër studentor.

Vlerësimin e kritikës europiane të kinematografisë FIPRESCI-t e fitoi filmi “Martesë në Besarabi”, kurse atë të publikut e mori filmi turk “Të jesh italian me znj.Enrika”, film në të cilin interpreton aktorja Klaudia Kardinale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA