“Urdhëri i Shkëlzenit për Gërdecin”

02/09/2011 19:30

Kabllogrami i datës 20 qershor 2008 përcjell detaje të rëndësishme deri më tani të panjohura për tragjedinë e Gërdecit të cilat Ambasada Amerikane i ka siguruar pas një takimi që ambasadori Withers ka zhvilluar me shefin e Shtabit, Luan Hoxha me kërkesë të këtij të fundit.

“Në një klimë politike të nxehtë, shefi i Ushtrisë, Luan Hoxha kërkoi të takohej me ambasadorin për të folur rreth shkarkimit nga detyra, bashkëpunimit me Prokurorinë e Përgjithshme përfshi pikëpamjet dhe faktet rreth Gërdecit”, shkruhet në hyrje të kabllogramit.

Në këtë takim gjeneral Hoxha ka treguar ngjarjen, sipas versionit të tij, për atë që ndodhi më 15 mars 2008.

Ndryshe nga ajo që tha në deklarimin publik duke fajësuar mënyrën se si operohej në Gërdec, Hoxha, sipas dijenisë së tij, thotë se ish-ministri Mediu ka marrë të gjitha vendimet, që nga zgjedhja e Gërdecit si pikë demontimi, çfarë lloj municionesh do të shkatërroheshin përfshi kohën e kryerjes së demontimit.

Sipas Luan Hoxhës, vijon kabllogrami, personeli i ushtrisë ishte drejtuar të transportonte municionet, të ruante zonën e demontimit dhe asgjë më shumë.

Gjatë gjysmës së projektit në dhjetor 2007, Hoxha ishte urdhëruar nga Mediu pavarësisht shqetësimit të tij drejtuar me një letër kryeministrit Berisha, zonjës Topalli dhe Mediut.

Pas kësaj, presioni mbërriti përmes telefonit nga një djalë i ri, i cili më pas sipas Luan Hoxhës, u konfirmua si Shkëlzen Berisha djali i kryeministrit. Dëshmia e Hoxhës thotë se pas telefonatës u vijua me dërgimin e municionit të kalibrit të lartë në Gërdec, pa patur asnjë vonesë.

Gjithnjë, sipas kabllogramit, gjeneral Luan Hoxha është pyetur nga ambasadori Withers nëse këtë informacion ja ka përcjellë Prokurorisë, ai është përgjigjur “Po” dhe se ja ka paraqitur të gjithë dokumentacionin prokurorëve, por jo atë pjesë për djalin e kryeministrit, pasi për Hoxhën ishte jo e sigurtë që të fliste.

Që hetimi të jetë i sukseshëm ka sugjeruar ambasadori Withers, atëherë ata që e dinë të vërtetën duhet të flasin.

Zoti Hoxha gjatë bisedës ka pranuar që në interes të drejtësisë ai duhet të flasë, por nuk ka konfirmuar nëse do ta bënte një gjë të tillë.

Gjithashtu Hoxha ka pohuar se janë edhe shumë të tjerë që e dinë këtë informacion.

Duke komentuar deklarimet e Luan Hoxhës ambasadori Withers thotë:

“Ky është incidenti i dytë kur një zyrtar, shpreh shqetësim i rrethuar nga frika për jetën dhe profesionin në mënyrë konfidenciale një ambasadori. Rasti i parë është ai i nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu. Disa prova të tjera mbështesin versionin e ngjarjeve të përshkruara nga Luan Hoxha. Si shef i ushtrisë marrëdhëniet me ish-ministrin Mediu ishin gjithmonë të tendosura, sikurse në marrëdhëniet tona, ai duket se në mënyrë frekuente ishte jashtë loje duke patur mungesë autoriteti për të përmbushur detyrat në zyrën e tij. Sipas të dhënave publike, prokurorja e përgjithshme duket se e ka fokusuar investigimin e saj përtej nga ushtrisë në vetvete dhe Mediut kjo mbase provat e kanë çuar në atë drejtim deri më tani. Nëse versioni Hoxhës përmban elementë të vërtëtë – shkruan Withers – mund të ndihmojë në dhënien përgjigje të elementëve relevantë dhe pyetjes më të madhe: Përse kryeministri ka avancuar më përpara sulmet konstante në institucionet e pavaruara pikërisht në këtë kohë, duke alarmuar komunitetin ndërkombëtar duke ngritur pikëpyetje për kredencialet demokratike të Shqipërisë kur ndodhet përpara ratifikimit të marrëveshjes më NATO-n”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA