Princi i Asturias për atletin Gebrselassie

02/09/2011 17:20

Haile Gebrselassie, atleti etiopian i distancave të gjata, ka fituar çmimin Princi i Asturias në kategorinë e sporteve duke lënë pas në votimin final futbollistin spanjoll Raul Gonzalez Blanco.

Juria e mbledhur në Oviedo të Spanjës ka njoftuar se i ka dhënë çmimin atletit për “merita të shkëlqyera sportive dhe humane”. Juria shton se Gebrselassie njihet si vrapuesi më i mirë i distancave të gjata i të gjitha kohërave.

“I rritur në një fermë, çdo ditë duhej të vraponte 20 kilometra për të shkuar në shkollë dhe kjo i shërbeu si stërvitje dhe në të njëjtën kohë ndikoi në mënyrën e tij të vrapimit: me krahun e majtë të mbledhur nga pesha e librave”, lexohet në komunikatën e jurisë.

Pesë ishin finalistët për çmimin Princi i Asturias në kategorinë e sportit: atleti Haile Gebrselassie, futbollisti Raul Gonzalez Blanco, ekipi spanjoll i notit të sinkronizuar, çiklistja franceze Jeannie Longo dhe kandidatura e përbashkët e alpinistëve Edurne Pasaban y Reinhold Messner.

Top Channel