Franca mundi 2-1 Shqipërinë në “Qemal Stafa”, por gjërat nuk shkuan dhe aq lehtë për ish-kampionët e botës.
E fillojnë me presing takimin dhe kërkojnë golin menjëherë “gjelat” që tulatin përfaqësuesen tonë që shpesh herë me pasa të pasigurta komplikonte situatat.
Ishte pikërisht nga një moment i tillë kur përfiton Karim Benzema, që zhbllokon rezultatin pas 11 minutash lojë, për një faj të mbrojtjes e më shumë të portierit Ujkani.
Menjëherë pas këtij rasti ishin kuqezinjtë që tregojnë dhëmbët e janë të pafat kur godasin traversën në një rast që mund të barazonte shifrat.
Ky episod nuk tremb aspak Francën që kërkonte të përmbushte synimin e saj duke shënuar golin e dytë që të mos rrezikonte më tej. Këtë herë Mvila dyfishon shifrat, pas asistit të Benzema, ndërkohë që mbrojtja jonë sërish gabon.
Nga minuta e 18-të ku u pësua goli i dytë e deri në mbyllje të pjesës së parë kuqezinjtë thuajse ishin inekzistentë, në pritje të këshillave e planit B të Josip Kuzhesë.
Në pjesën e dytë futet Hyka në vend të Skelës, ndërsa Lala kishte zëvendësuar që në pjesën e parë Currin e dëmtuar.
Pak minuta nga pjesa e dytë dhe një asist i Bulkut shfrytëzohet mjaft mirë nga Bogdani i cili me forcë kalon dy qendërmbrojtësat Frances e mposht portierin Loris.
Me këtë gol Erjon Bogdani barazon golashënuesin më të mirë të kombëtares Alban Bushi me 14 gola.
Franca pëson goditjen e parë, duke zhvilluar më pas për rreth 30 minuta një lojë të paqartë pa rrezikuar aspak Ujkanin. Ndërkohë që Loris e sheh veten sërish në rrezik pak minuta më vonë kur një aksion i Vangjelit shndërrohet në një rast goli, por është portieri që e shpëton skuadrën e Loran Blank nga barazimi.
Deri në fund kuqezinjtë dominuan lojën përball një France të lodhur e me pak raste për të shënuar më shumë, por që gjithsesi mori 3 pikët që e mban në krye të Grupit tonë dhe të kualifikuar matematikisht për më tej.
Ndërkohë Shqipëria do të udhëtojë për në Luksenburg ditën e hënë pa Currin e dëmtuar e pa Canën që mori një tjetër karton të verdhë në këtë ndeshje, për të shpresuar në një rezultat pozitiv që thjesht mund të përmirësojë statistikat tona për sa i përket pikëve të grumbulluar në fazën e grupeve.
Top Channel