Bastet, Franca favorite

02/09/2011 15:05

Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kompanitë ndërkombëtare të basteve favorizojnë Francën për sfidën e
sotme përballë Shqipërisë, që do të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”.

Triumfi i francezëve të drejtuar nga Laurent Blanc është kuotuar 1.37 ndërsa barazimi me 4.5. Ndërkohë fitorja e kuqezinjve të Kuzhes shihet si i pamundur dhe kjo tregohet qartë në kuotimin e lartë. 8.75 është koeficienti i suksesit të tanëve në Tiranë.

Trajneri i kombëtares shqiptare Josip Kuzhe në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes deklaroi se arma e tij në këtë sfidë do të jetë kundërsulmi.

FSHF: Do të ndeshemi si të barabartë me Francën 

Federata Shqiptare e Futbollit pak orë para ndeshjes së madhe Shqipëri-Francë deklaron se skuadra është e përgatitur për takimin, ndërsa shpreson për lojë të bukur dhe për rezultat pozitiv.

“Do të ndeshemi si të barabartë me Francën. Të gjithë shqiptarët të jenë me zemër të bashkuar për kombëtaren dhe kombin”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.

Ndërkohë një ditë më parë trajneri i kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, theksoi se ekipi i tij do të ndeshet me një nga skuadrat më të mira në Europë, por deklaron se kjo nuk e ndalon atë dhe të gjithë skuadrën kuqezi të mendojnë për një rezultat pozitiv.

“Nuk mund të pretendojmë që ndaj Francës të kemi një dominim të lojës dhe presim që ata të mbajnë topin më shumë se ne. Por kjo nuk do të thotë që ne vetëm do të mbrohemi, ne do të mundohemi ta kapim në kundërsulm. Vendosja e Currit në mesfushë është një frymëmarrje për ne, pasi ai është agresiv, mund të futet në duel dhe mund të rrezikojë në zonën kundërshtare me topat e lartë. Kjo zgjedhje është edhe për shkak të formës së mirë që po kalon Teli”, shprehet Kuzhe.

Ndërsa trajneri i Francës Loren Blank, në konferencën që ka dhënë për mediat shqiptare u shpreh se ekipi shqiptar i ka të gjitha shanset për t’u kualifikuar.

Megjithë këtë respekt, sigurisht që objektivi i tyre për këtë ndeshje janë tre pikët që do t’i japin mundësinë për të vazhduar qëndrimin në krye të grupit.

“Përgatitjet tona janë gjithmonë për fitore, jo vetëm me Shqipërinë por me këdo. Kjo është gjëja më e thjeshtë për të thënë paraprakisht. Edhe barazimi është pjesë e ndeshjes. Ka takime që barazimi konsiderohet fitore, por ka ndeshje që barazimi konsiderohet si humbje”, shprehet trajneri i përfaqësueses franceze.

Top Channel