Për një javë qyteti i Pogradecit është përfshirë nga Festivali i Filmit Ballkanik i cili ka nisur më 29 gusht dhe do të përfundojë më 4 shtator.
Dita e tretë e këtij festivali i përket Rumanisë. Nga ky shtet u paraqitën dy filma, një me metrazh të shkurtër me titullin ‘Grabova’ si dhe gjatë mbrëmjes u shfaq filmi me metrazh të gjatë Europolis.
Regjisori rumun shpjegon se filmi flet për një bashkësi vllehësh që jetojnë në Shqipëri dhe konfliktet e tyre.
Në këtë festival marrin pjesë 9 shtete: Shqipëria, Kroacia, Rumania, Bullgaria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Serbia dhe Greqia, dhe do të shfaqen 63 filma.
Në program ka filma me metrazh të shkurtër e të mesëm, si edhe filma artistikë me metrazh të gjatë. Çdo shtet pjesëmarrës në këtë festival ka sjellë filma dhe dokumentarë me probleme të Ballkanit, dhe konfliktet e tij në shekuj.
Festivali është ndjekur me interes nga artdashësit pogradecarë si dhe nga turistë vendas dhe të huaj që kanë zgjedhur Pogradecin për të kaluar pushimet.
Top Channel