Curri, Agolli e Bakaj: Me Francën luajmë shanset tona

01/09/2011 13:30

Nuk është thjesht optimizëm, por praktikisht një bindje. Në radhët e
Kombëtares shqiptare, pothuajse të gjithë lojtarët besojnë se mund të
arrihet një rezultat pozitiv përballë Francës, pavarësisht emrit të madh
të kundërshtarëve.

Debatik Curri, që pritet të spostohet nga qendërmbrojtës në mesfushë, duke lënë në stol Altin Lalën, mendon se kuqezinjtë kanë shanse në sfidën e së premtes në Tiranë. “Franca është një skuadër shumë e fortë, me lojtarë të njohur në të gjitha repartet. Por, mendoj që do të jetë ndeshje e vështirë për ne dhe Francën. Ky takim do të jetë i rëndësishëm për të dyja skuadrat dhe me një rezultat pozitiv besoj se do të vazhdojmë të luftojmë për kualifikimin në Euro 2012”, tha Curri. “Franca luan shumë mirë dhe ka lojtarë aktivë. Natyrisht që jemi të rrezikuar, pasi Riberi, Nasri e Maluda janë lojtarë që bëjnë diferencën”.

Edhe Ansi Agolli mendon se Shqipëria mund të mos dalë duarbosh: “Edhe unë do të firmosja për një barazim. Kundërshtarin e njohim të gjithë dhe nuk ka nevojë të përmendim se çfarë ekipi është Franca. Për t’i ndalur ‘gjelat’ duhet të luajmë në grup, siç kemi bërë gjithmonë. Vetëm në këtë mënyrë dhe duke treguar shpirt luftarak mund t’i ndalim. A do të guxojmë? Synimi ynë është të marrim maksimumin nga kjo ndeshje, por këtu hyn edhe fati. Por jam i bindur se do të bëjmë një lojë shumë të mirë”. Ndërkohë, në konferencën për shtyp në Durrës, Elis Bakaj shtoi: “Franca është një nga ekipet më të mira në botë. Problemi është si mund ta ndalim këtë skuadër. Këtë ekip e ndal vetëm nëse je grup dhe jep 100 për qind në fushë. Vetëm në këtë mënyrë mund të marrim rezultat, pasi ata janë një skuadër me kualitete shumë të mira, që arrijnë të bëjnë diferencën”.

Top Channel