“Ne kemi shumë respekt për ekipin shqiptar dhe mund të them se i kanë edhe ata shanset për tu kualifikuar. Di që ka fituar disa ndeshje që ka luajtur në Tiranë. Franca në tërësi ka shumë respekt për Shqipërinë.”
Këto janë fjalët e para të trajnerit të Francës, Loren Blank, në konferencën që ka dhënë për mediat shqiptare. Megjithë këtë respekt, sigurisht që objektivi i tyre për këtë ndeshje janë tre pikët që do t’i japin mundësinë për të vazhduar qëndrimin në krye të grupit.
“Përgatitjet tona janë gjithmonë për fitore, jo vetëm me Shqipërinë por me këdo. Kjo është gjëja më e thjeshtë për të thënë paraprakisht. Edhe barazimi është pjesë e ndeshjes. Ka takime që barazimi konsiderohet fitore, por ka ndeshje që barazimi konsiderohet si humbje”, shprehet trajneri i përfaqësueses franceze.
Sa i përket formacionit, trajneri Blank ende nuk është i sigurtë pasi ka disa lojtarë të cilët janë të dëmtuar apo që nuk janë në formë për tu aktivizuar ndoshta nga minuta e parë në ndeshjen përballë Shqipërisë.
“Ende nuk jam i vendosur për formacionin pasi kemi lojtarë që janë të dëmtuar apo kanë disa probleme. Ne do të bëjmë një seancë stërvitore të plotë me të gjithë, më pas do të vendosim se çfarë do të ndodhë përsa i përket formacionit”, shtoi Blank.
Më pas përfaqësuesja e Francës ka zhvilluar seancën e parë stërvitore në “Qemal Stafa”, e cila për rreth 15 minuta ishte e hapur për mediat.
Top Channel