Shqipëri-France 3-0

31/08/2011 15:20

Ndeshja në prag mes Shqipërisë dhe “gjelave” të Francës ka sjellë në Tiranë dhjetra shërbime speciale të policisë së Nices, që përveçse do të sigurojnë kombëtaren franceze, e kanë nisur punën e tyre me këmbën e djathtë me një ndeshje miqësore me homologët shqiptarë.

Prej tyre 11 oficerë francezë veshën uniformën sportive duke zbritur në stadiumin “Selman Stërmasi” për t’u përballur me një ekip të RENEA-s dhe agjentëve të krimeve.

Djemtë e policisë shqiptare në portë vendosën një agjent të krimeve të komisariatit numër një, ndërsa sulmues dhe në mbrojtje lanë djemtë e RENEA-s.

Aq seriozisht u mor kjo ndeshje sa gjatë vrapit për të përvetësuar topin njëri nga djemtë e RENEA-s qëlloi në kokë lojtarin e skuadrës tjetër. Dalja nga fusha e tij u shoqërua me duartrokitje nga tifozët, shumica agjentë policie, shefa komisariatesh, por edhe gazetarë të aktualitetit.

Ndeshja u mbyll me rezultatin 3 me 0 për policinë shqiptare, të tre golat të bërë nga RENEA.

Kupa e fitores ju dorëzua nga drejtori i policisë së Tiranës numrit dhjetë, që e mbante një punonjës policie i patrullave të përgjithshme.

Pas kësaj ndeshjeje të lodhshme të dyja policitë do t’u duhet të shlodhen tashmë për t’u bërë gati për sigurimin e ndeshjes së madhe Francë – Shqipëri.

Top Channel