Ibrahimovic: Barcelona, ekipi më i mirë në botë

31/08/2011 11:55

Zlatan Ibrahimovic, sulmuesi i Milanit, vlerësoi Barcelonën si ekipin më të mirë në botë dhe u shpreh i kënaqur që shorti i grupeve të Ligës së Kampioneve e vuri skuadrën e tij përballë katalanasve.

“Barcelona është ekipi më i mirë në botë. E dija këtë gjë kur shkova në Barcelonë dhe kisha po këtë mendim kur u largova. Do të jetë një provë e mirë për ne. Milani është i fortë dhe po përmirësohemi edhe më shumë. Kemi blerë lojtarë të rinj dhe shpresojmë që të përshtaten sa më shpejt me grupin”, deklaroi Ibrahimovic në një intervistë për ‘La Gazzetta Dello Sport’.

Përsa i përket problemeve që ka pasur me trajnerin e Barcelonës, Josep Guardiola, të cilin suedezi e fajësoi për largimin e tij nga ekipi blaugrana, Ibra tha se tashmë ajo është një histori e shkuar.

“Guardiola është një trajner i madh dhe problemet mes nesh ishin të tjera. Unë shoh të tashmen: Guardiola po punon mirë tek Barcelona dhe unë po punoj mirë tek Milan. Kjo ka rëndësi”, tha sulmuesi.

Top Channel