Muzaka: Të shfrytëzojmë shpërqendrimet e francezëve

30/08/2011 14:20

Në Euro 2012, Gjergji Muzaka është cilësuar si një element shumë i
rëndësishëm për Kombëtaren shqiptare. Mesfushori i Skënderbeut është një
element i rëndësishëm për Josip Kuzhe në fazën ofensive, mbi të gjitha
kur kuqezinjtë luajnë me kundërsulme dhe kundër Francës, ai mund të ketë
shansin të zbresë në fushën e lojës.

26-vjeçari nuk i trembet aspak emrit të madh të kundërshtarëve, përkundrazi mendon se përfaqësuesja mund të ketë shansin të bëjë surprizën, duke shfrytëzuar shpërqendrimet e bluve të drejtuar nga Loren Blank. “Të gjithë e kemi të qartë që Franca është favoritja e Grupit D.Kjo bën që ata të nisen si favoritë edhe në këtë ndeshje, duke parë edhe kualitetet që kanë. Megjithatë, Shqipëria ka pikën e saj të fortë, pasi luajmë në fushë tonë dhe kemi treguar se me ndihmën e tifozëve i dalim zot çdo kundërshtari, pavarësisht nivelit të tij”, tha Muzaka.

“Në Tiranë, vështirësi kanë pasur edhe skuadra të nivelit të Francës dhe kjo sepse në shtëpi, ne kemi ditur të ruajmë përqendrimin gjatë 90 minutave. Duhet të veprojmë sërish kështu dhe nëse Franca nuk shënon, me kalimin e minutave ata do të jenë në vështirësi dhe në 2-3 momente mund të shpërqendrohen dhe ne duhet të jemi të gatshëm t’i shfrytëzojmë këto mundësi. Në futboll fitohet edhe me një apo dy raste, sikundër nuk mund të fitohet edhe kur krijon me dhjetëra mundësi shënimi. Ne duhet të ruajmë përqendrimin dhe organizimin taktik”.

Mesfushori u aktivizua si titullar ndeshjen e fundit të kuqezinjve, në miqësoren e fituar me Malin e Zi. Gjithsesi, ai nuk përqendrohet shumë te kjo çështje, por te fakti se Shqipëria vjen në përballjen e 2 shtatorit me moralin e lartë. Për sa i takon dueleve me yje si Abidal apo Evra, Muzaka shtoi: “Franca është një skuadër me shumë kualitete dhe yje. Megjithatë, në futboll nuk ka parashikime të sakta. Nëse pres të luaj më shumë? Kur luan me Kombëtaren dhe shënon, është diçka shumë e mirë, megjithatë ai gol me Rumaninë ma ka ngritur shumë entuziazmin”.

Top Channel