“Luksemburgu, më i rëndësishëm se Franca”

30/08/2011 14:00

Edhe pse vetëm 23 vjeç, Jahmir Hyka duket më i pjekur se shumë lojtarë
të moshës së tij. Ndoshta për faktin se në karrierën e deritanishme, ku
ka ndërruar shtatë skuadra, është përballur me situata nga më të
ndryshmet, duke bërë që të jetë gjithmonë më realist dhe me këmbë në
tokë.

Këtë e tregon qëndrimi i mesfushorit, ne nje interviste per “Shqip”, se një rezultat në sfidën e së premtes me Francën do të ishte i mirëpritur, por më e rëndësishme për Shqipërinë është përballja e datës 6 shtator në Luksemburg.

Në qershor luajtëm me Argjentinën, tani përballemi me një tjetër ekip të madh botëror si Franca…

Përveçse dihen kualitetet e francezëve, me lojtarë që luajnë në ekipe shumë të mira, ndryshimi është se kjo është ndeshje kualifikuese dhe jo miqësore. Për ne është një detyrë e madhe që të arrijmë rezultat pozitiv përpara publikut tonë.

Vetë Hyka si ndihet në këtë periudhë?

Në këtë periudhë ndihem mjaft mirë. Kam arritur formë të kënaqshme, kam shënuar disa gola, shpresoj të vazhdoj kështu.

Pas golit me Malin e Zi, duket se pozitat tuaja në përfaqësuese janë përmirësuar…

Normalisht që forma e lojtarit ndryshon. Për momentin ndihem shumë mirë, goli kundër Malit të Zi më ka ngritur moralin. Nëse trajneri do ta shikojë të arsyeshme që unë të luaj, do të jap më të mirën.

Mendoni se e keni rifituar statusin e përpara dy viteve, kur cilësoheshit edhe titullar në Kombëtare?

E thashë, ndihem shumë mirë. Ndoshta po kaloj të njëjtën formë si dy vjet më parë. Nuk e di nëse e kam fituar një rol protagonisti në Kombëtare, pasi këtë duhet ta vendosë trajneri.

Ndiheni në siklet sepse dy vëllezër janë futur në sherr për ju (te Luzerna), trajneri Murat Jakin dhe kapiteni Hakan Jakin?

Po kaloj një formë të mirë dhe trajneri i skuadrës sime ndoshta mund të jetë paksa në vështirësi, sepse kërkoi të kem më shumë hapësira. Kapiteni Jakin u mërzit sepse u zëvendësua, por nuk kam probleme me asnjë, pasi shkoj mirë me të dy. Ndoshta kanë pasur probleme të mëparshme.

Keni shanse ta fitoni titullin në Zvicër?

Jemi në vendin e parë në kampionat, por është ende fillimi i sezonit dhe na mbeten shumë ndeshje përpara. Po kalojmë një moment të mirë, kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe nuk kemi pësuar asnjë humbje. Shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Do të rinovonit te Luzerna?

Kontrata ime është 1-vjeçare me opsion për rinovimin. Nëse do të jetë vullneti nga të dyja palët, atëherë në fund të sezonit do të rinovojmë.

Franca, përveç emrit të madh, vjen në Shqipëri për fitore…

Është një ndeshje shumë e vështirë. Franca do të kërkojë të fitojë në Tiranë dhe nuk do të jetë një sfidë e lehtë. Por, shpresat janë gjithmonë për rezultat pozitiv. Duhet të luajmë ashtu siç dimë në fushën tonë: si grup, të japim më të mirën dhe ndoshta arrijmë diçka pozitive me mbështetjen e tifozëve.

Më mirë 1 pikë me Francën apo 3 me Luksemburgun?

Më mirë fitore në Luksemburg…

Por rezultati me francezët ka më tepër prestigj…

…Unë do të zgjidhja fitoren, sepse 3 pikë janë më mirë se 1. Nuk do të ishin keq as 4 pikë, 3 në Luksemburg dhe 1 me Francën, apo edhe të fitojmë me “gjelat”.

Top Channel