CEZ aplikon për tarifat e reja të energjisë

30/08/2011 08:15

Muaji gusht konsiderohet stina e nxehtë për kompaninë çeke, CEZ Shpërndarje, pasi është periudha e hartimit të paketës me tarifat e reja të energjisë elektrike.

Kjo vlen edhe për KESH-in dhe OST, dy kompanitë shtetërore, të cilat zënë një peshë jo të vogël në përcaktimin e çmimit final të energjisë elektrike.

Burime zyrtare nga Entit Rregullator i Energjisë Elektrike sqarojnë për “Shqip” procedurën që ndiqet deri në miratimin final të tarifave.

“Brenda javës së parë të muajit shtator, kompania CEZ duhet dorëzojë në zyrat e ERE-së aplikimin për tarifat e reja të energjisë. Pas kësaj, në tetor CEZ publikon aplikimin për t’ua bërë të ditur konsumatorëve dhe grupeve të interesit”, bën të ditur ERE, duke shtuar se kulmi i negociatave zhvillohet në muajin dhjetor, kur vendoset mbi tarifën finale, e cila nis zbatimin në janar 2012.

Sakaq, burime zyrtare të CEZ-it konfirmojnë hartimin e paketës që do t’i propozohet ERE-s në shtator. Kompania thotë se ka punuar seriozisht për të ofruar një bazë të dhënash dhe aplikim të tarifave, duke iu referuar treguesve realë të sektorit.

Arkëtimet dhe niveli i humbjeve përbëjnë dy shtyllat bazë që argumentojnë ndryshimin e çmimit, i cili mund të pësojë rritje, por edhe ndoshta mbetet i pandryshuar.

Gjasat që çmimi të rritet për 2012-n janë të mëdha, duke u nisur nga situata ku ndodhet aktualisht KESH-i, të cilës ia ulën çmimin e shitjes së energjisë, duke ndikuar në financat e korporatës.

Aktualisht, mesatarja e tarifës që paguhet nga të gjithë konsumatorët, familje dhe biznes, është 9.53 lekë për kilovat.

Për familjet, tarifa mbeti i pandryshuar, në 7.7 lekë për konsum deri në 300 kilovat, kurse mbi këtë kufi aplikohet çmimi 13.5 lekë për kilovat (pa TVSH).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA