Disa vatra zjarri kanë shpërthyer në zonën e pyllëzuar me pisha në Krujë dhe Fushë Krujë.

Zjarrfikësit kanë verifikuar 6 vatra zjarri që kanë nisur në të njëjtën kohë dhe flakët me shpejtësi janë përhapur në drejtim të zonës malore të Krastës.

Zjarri i është afruar edhe depove të dinamitit që ndodhen në zonë, por ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve ka ndalur avancimin.

Pesë mjete zjarrfikëse u përdorën për të shuar zjarret. Drejtuesit e reparteve zjarrfikëse thonë se janë të paktën 50 hektarë të djegur.

“Sipërfaqja është shumë e madhe, zjarrvënia është e qëllimshme dhe shpresojmë që policia e shtetit dhe ajo kriminale të arrestojnë këtë zjarrvënës”, është shprehur Dilaver Laci, drejtor i përgjithshëm i zjarrfikësve.

Flakët rrezikuan edhe disa banesa që ndodhen në zonë, ndërsa flakët kanë avancuar në zonën malore ku zjarrfikësit e kanë patur të pamundur të futen.

Top Channel