Monedha numizmatike për 100-vjetorin e pavarësisë

23/08/2011 08:20

Njëqindvjetori i pavarësisë së Shqipërisë që pritet të festohet vitin e
ardhshëm do të do të gdhendet në ar. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së
Shqipërisë vendosi të prodhojë dymbëdhjetë mijë monedha përkujtimore në
ar, argjend dhe bakër, monedha të cilat do t’u shiten koleksionistëve në
të gjithë botën.

Vendimi i Këshillit Mbikëqyrës i jep të drejtë guvernatorit të ngrejë grupin e punës për dizajnimin e këtyre monedhave.

Do të prodhohen 1 mijë monedha ari me vlerë nominale 200 lekë, me peshë 15.5 gramë dhe me pastërti ari 900/1000, që i korrespondon arit prej afërsisht 22 karatë. Nga këto, 100 monedha do të ruhen nga Banka e Shqipërisë në fondin e vet të paprekshëm numizmatik. Këto monedha do të kenë përmbajtje ari në vlerë prej afërsisht 800-900 dollarësh, ndërsa çmimi i tyre në treg do të jetë më i lartë, në varësi të vlerësimit të koleksionistëve për rëndësinë dhe bukurinë e këtyre monedhave. Vlera e arit në monedhat e ndryshme, sipas një udhëzimi nga Banka e Shqipërisë nxirret duke e llogaritur në bazë të çmimit aktual të arit në bursat ndërkombëtare.

BSH do të prodhojë gjithashtu edhe 1 mijë monedha argjendi me peshë 30 gramë dhe me pastërti 925 për mijë. Çmimi aktual i argjendit në bursë është 43 dollarë për onç dhe një onç ka afërsisht 31 gramë. Për koleksionistët që kanë shumë pasion, por pak para, BSH do të emetojë edhe 10 mijë monedha bakri me peshë 12 gramë.
Shqipëria ka prodhuar monedha të ndryshme përkujtimore gjatë dekadës së fundit, të cilat janë aktualisht në qarkullim për koleksionistët. Monedhat e arit me rastin e 500-vjetorit të statujës së Davidit të Mikelanxhelos u publikuan në vitin 2001 dhe aktualisht kushtojnë rreth 20 mijë lekë. Po në të njëjtin vit u publikuan monedha përkujtimore në argjend, të cilat, të pasionuarit pas ëndrrës europiane mund t’i blejnë për 2400 dhe 3200 lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA