Katër vjet më parë, qindra dhe mijëra shqiptarë çdo muaj i drejtoheshin
bankave për kredi për financimin e bizneseve të vogla në tregti,
shërbime e ndërmarrje të vogla prodhuese.
Sot, gjithnjë e më pak individë po synojnë krijimin e një biznesi të ri apo zhvillimin e një ekzistuesi përmes kreditimit nga bankat.
Të dhënat statistikore nga Shoqata e Bankavem sipas “Shqip”, tregojnë se, kredia e re për biznes e tërhequr nga klientët individë ka rënë me 56 për qind gjatë katër viteve të fundit, duke shënuar pikën më të ulët në maj të këtij viti.
Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2011, kredia totale për biznes e tërhequr nga individët qe vetëm 2 miliardë lekë (rreth 14 milionë euro), me rënie 20 për qind kundrejt vitit paraardhës, kur qe 2.5 miliardë lekë dhe me rënie 56 për qind kundrejt vitit 2008, kur kriza financiare dhe ekonomike botërore nuk kishte filluar ende.
Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, bankat ofruan mesatarisht çdo muaj 2.4 milionë euro kredi për biznes të vogël, nga 3 milionë në muaj që patën akorduar në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nuhatja e shqiptarëve për ecurinë ekonomike të vendit duket qartë në ecurinë e volumit të kredisë së re. Në muajt mars, prill e maj, kredia për biznes shënoi rënie drastike në krahasim me një vit më parë, për shkak se në këtë periudhë, shqiptarët i kapi paniku dhe refuzuan të jetojnë normalisht, duke u kursyer në shpenzime, duke zhvendosur konsumin drejt mallrave të lira dhe natyrisht, duke i lënë për më vonë aventurat sipërmarrëse përmes kreditimit. Gjatë këtyre muajve, edhe të ardhurat e qeverisë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar qenë shumë të dobëta.
Në qershor të këtij viti duket se situata u përmirësua dhe dëshira e shqiptarëve për sipërmarrje u rrit. Kredia për biznes e disbursuar këtë muaj qe afro 3.2 milionë euro, shifër kjo më e lartë se sa mesatarja e vitit të fundit.
Shqiptarët janë një popull sipërmarrësish të vegjël. Sipas anketës strukturore të ndërmarrjeve që kryhet nga Instituti i Statistikave, në vendin tonë ka rreth 75 mijë ndërmarrje, por nga këto, rreth 67 mijë kanë më pak se 4 të punësuar. Afërsisht një në dhjetë familje në Shqipëri disponojnë një biznes të vogël.
Te këto biznese punësohen ose vetëpunësohen rreth 100 mijë shqiptarë, ose 40 për qind të numrit total të njerëzve që marrin një rrogë mujore në vendin tonë. Ndonëse bëjnë vetëm një të pestën e xhiros së kryer nga të gjitha ndërmarrjet në vend, roli i sipërmarrësve të vegjël në punësim është dy herë më i lartë se sa të ardhurat.
Ndërmarrjet e mëdha, të cilat punësojnë mbi 20 punonjës, ndonëse së bashku realizojnë 60 për qind të xhiros totale të biznesit në vend, punësojnë vetëm 45 për qind të të punësuarve.
Top Channel