Qeveria e Bullgarisë u shpreh e gatshme të lehtësojë procedurat për eksportin e ushqimeve drejt Kosovës, për të zëvendësuar kështu ushqimet që më parë importoheshin nga Serbia dhe që aktualisht janë bllokuar me embargo të vendosur nga Prishtina.
Ministri i Bujqësisë së Bullgarisë vizitoi gjatë javës së fundit Prishtinën dhe hapi bisedime për të sinkronizuar ligjet e të dy vendeve mbi sigurinë ushqimore dhe për të lehtësuar në këtë mënyrë eksportet ushqimore të Bullgarisë drejt Kosovës.
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, vizitoi Sofjen dhe shprehu interes për importimin e ushqimeve. Ministri i Bujqësisë së Bullgarisë, Miroslav Naydenov, u shpreh i gatshëm për të rritur bashkëpunimin.
“Të dy vendet mund të bashkëpunojnë në veterinari, pyje dhe bujqësi. Bullgaria mund të furnizojë Kosovën me miell, vajra ushqimore, bulmet, pula, vezë e sheqer”, deklaroi Naydenov gjatë një vizite në Prishtinë.
Gjatë vitit 2010, Kosova importoi 20 milionë euro sheqer, 19 milionë euro grurë, 12 milionë euro nënprodukte mielli, 9.6 milionë euro miell dhe 9 milionë euro vajra ushqimore nga Serbia.
Të gjitha këto mallra mund të gjenden lehtë në tregun ndërkombëtar dhe për këtë arsye, duket se Bullgaria po nxiton ta zërë për vete këtë mundësi tregtare.
Bullgaria është një prodhues i rëndësishëm i ushqimeve bazë në rajonin e Ballkanit për shkak të sipërfaqes së konsiderueshme të tokës bujqësore dhe densitetin e ulët të popullatës.
Kosova i vendosi embargo Serbisë muajin e kaluar, pasi Serbia i pati vendosur de facto embargo Kosovës duke mos njohur vulat e autoritetit doganor të këtij vendi nën justifikimin se Kosova nuk ekziston si subjekt i të drejtës ndërkombëtare. Kosova importoi 260 milionë euro mallra gjatë vitit 2010 nga Serbia.
Pjesa më e madhe e këtyre mallrave janë lehtësisht të zëvendësueshëm dhe kostoja që do të ketë republika më e re e kontinentit është vetëm një rritje e lehtë çmimesh, e cila nuk është shfaqur ende.
Megjithatë, Kosova importon nga Serbia edhe një pjesë të konsiderueshme të energjisë elektrike, për të cilën është e vështirë të gjendet një alternativë për shkak se shumica dërrmuese e linjave elektrike në Ballkan kontrollohen nga Serbia.
Top Channel