“Tirana, skenar për prishjen e ndeshjes”

20/08/2011 08:30

Tensioni dhe dhuna gjatë finales së Superkupës së Shqipërisë kanë
prodhuar polemika pas ndeshjes. Skënderbeu humbi 0-1 në shtëpi përballë
Tiranës, në një sfidë që më tepër sesa për ngjarjet në fushën e lojës,
do të mbahet mend për problemet jashtë stadiumit dhe në tribuna.

Pas vonesës afro 77 minuta, dhunës jashtë dhe brenda impiantit dhe disfatës përballë tifozëve vendas, ka reaguar presidenti Agim Zeqo. Numri 1 i skuadrës juglindore akuzoi Tiranën se kishte ndërtuar një skenar, me synimin e qartë për të prishur ndeshjen.

Problemet kanë nisur rreth 30 minuta përpara startit të takimit, ku duhen theksuar problemet në aspektin organizativ nga klubi korçar dhe FSHF-ja: tifozeritë “ultras” të Skënderbeut dhe Tiranës ishin lënë pranë njëra-tjetrës, ndërsa ato kanë hyrë në stadium në të njëjtën kohë dhe nga e njëjta derë.

Konfliktet kanë nisur pikërisht në momentin e hyrjes, ndërsa rreth 200 mbështetësit bardheblu akuzuan se vendet për të cilat ata kishin paguar bileta ishin zënë nga tifozët vendas. Tirana nuk pranonte të luante pa tifozët, ndërsa ndeshja e parë sezonale ka rrezikuar seriozisht të dështojë. Pas negociatave të shumta dhe ndërhyrjeve të presidentëve Halili e Zeqo, është bërë e mundur që takimi të nisë me 60 minuta vonesë, edhe pse rregullorja parashikon që skuadrat dhe gjyqtarët duhet të presin vetëm 45 minuta.

Por, edhe pas startit të takimit, loja u ndërpre në minutën e 10-të, pasi tifozët e Tiranës kanë hedhur fishekzjarrë dhe tymëse në fushë. “Përleshjet” rinisën pasi në momentin e pastrimit të fushës, një tifoz korçar e ka hedhur një tymëse në tribunën e fansave miq, ndërsa për të evituar një tjetër përkeqësim të situatës, policia i shoqëroi këta të fundit jashtë stadiumit. “Tirana kishte ardhur me qëllimin e qartë për ta prishur ndeshjen. Këtu dua të përjashtoj presidentin Halili, që bisedoi për shumë minuta me tifozët për t’u futur në stadium dhe për të nisur finalen e Superkupës. Por, përveç atij, pjesa tjetër e klubit kishte ndërtuar një skenar që takimi të dështonte. Gjithçka nisi me kontestimet për gjyqtarin dhe kërcënimin për bojkot, e për të vazhduar me këmbënguljen e skuadrës së Tiranës për të mos luajtur pa prezencën e tifozëve, në një kohë kur ishin këta të fundit që nuk pranuan alternativat për futjen në stadium”, – deklaroi Zeqo.

Vetëm pak orë pas disfatës në Superkupë, presidenti i Skënderbeut ka zhvilluar një analizë me skuadrën. Zhgënjimi i tij ka qenë i dukshëm, edhe sepse drejtuesi kërkonte me forcë t’i jepte skuadrës trofeun, i cili do të ishte i pari në llojin e tij për korçarët. Në analizë, Zeqo kritikoi ekipin për mënyrën se si u paraqit në sfidën me Tiranën, ndërsa hodhi poshtë spekulimet se humbja ka tronditur pozitat e trajnerit Shpëtim Duro. “Kemi zhvilluar një analizë me ekipin, ku kemi shfaqur pakënaqësitë për lojën, por mbi të gjitha, për mënyrën sesi lojtarët tanë hynë në fushë. Ata kishin një siguri të tepruar për fitoren, – tha ai. – Duro rrezikon largimin? Jo, kjo nuk është e vërtetë. Trajneri do të vazhdojë punën në krye të stolit”.

Top Channel