Superkupa, policia heton trazirat para ndeshjes

19/08/2011 15:40

4 persona, shkaktarë të dhunës në stadiumin e Korçës gjatë Superkupës Skënderbeu-Tirana do të hetohen në gjendje të lirë ndërkohë që policia e qarkut Korçë po punon për identifikimin e personave të tjerë të cilët para fillimit të kësaj ndeshjeje kanë shkaktuar probleme dhe kanë prishur rendin dhe qetësinë publike.

Konfrontimi mes tifozerive ka nisur para startit të ndeshjes dhe vetëm ndërhyrja e policisë e qetësoi situatën, por vetëm për pak minuta, sepse sharjet, ofendimet dhe sherret filluan më pas në tribunën karshi.

Një organizim jo shumë i mirë bëri që ndeshja të shtyhej për shumë minuta, dhe jo vetëm kaq. Vetëm pak minuta nga starti i saj tensioni arriti kulmin kur disa tifozë korçarë u futën në fushën e lojës dhe nisën të godasin me gurë dhe sende të forta lojtarët kryeqytetas.

Loja ka rifilluar pas disa minutave pushim, ndryshe nga tifozët në tribunë, futbollistët e dyja skuadrave treguan fair play në fushë.  

Protagonisti i Superkupës në fushë ishte Bekim Bala, autori i golit të vetëm të sfidës. Edhe pse janë munduar të reagojnë, skuadra korçare ka qenë e pasaktë para portës së mbrojtur nga Iljon Lika.

Hulian Rubio Sançez është trajneri i 4 i huaj në historinë e Tiranës që arrin të fitojë Superkupën e Shqipërisë.

Top Channel