Barcelona fiton Superkupën

18/08/2011 01:10

Barcelona është fituesja e Superkupës së Spanjës, pas fitores 3-2 që arriti ndaj Realit të Madridit në një ndeshje tepër të tensionuar të luajtur në Camp Nou.

Finalja e dytë e këtij trofeu, ashtu sic edhe parashikohej i kishte të gjitha brenda, spektaklin, grintën, zënkat, por mbi të gjithë golat.

Në minutat e para u pa një Real më agresiv, ashtu si në sfidën e luajtur 3 ditë më parë në Bernabeu. Por me kalimin e minutave, Barcelona organizohet dhe kontrollon më shumë topin.

Rezultati zhbllokohet në minutën e 15 të takimit nga Iniesta. Pesë minuta më vonë, Ronaldo barazpeshon gjithcka. Kur pritej përfundimi në barazim i pjesës së parë, Pike nxjerr një top me finte brenda zonës për Lionel Mesin, i cili përballë Kasijas nuk mund të gaboj dhe kalon sërish në avantazh vendasit.

Pjesa e dytë nis sërish me Realin më shumë agresiv në fushë. Por megjithë përpjekjet e tyre, madrilenët gjejnë golin e barazimit vetëm në minutën e 82 me Benzema pas një rrëmuje në zonën e Barcelonës.

Kur mendohej se takimi po i drejtohej minutave shtesë, Mesi shënon sërish. Këtë herë pas një kombinimi të bukur me Fabregas dhe Adriano.

Minutat e mbetura janë shumë pak për Realin për të kërkuar golin e barazimit, por jo për të tensionuar situatën. Një ndërhyrje e qëllimtë e Marcelos ndaj Fabregas irriton stolin katalanas që hidhet i gjithi në fushë.

Për disa minuta lojtarët katalanas janë konfrontuar me ata madrilenë. Madje këtyre të fundit u ka ardhur në ndihmë edhe vetë trajneri i tyre, Murinjo me një gjest që nuk është parë nga gjyqtarët e takimit. “Special One” në rrëmujë e sipër është ngritur nga stoli dhe ka kapur prej veshi ndihmës/trajnerin e Barcelonës.

Gjesti është kapur nga kamerat e për këtë pritet ndoshta një dënim për portugezin në ditë e ardhshme. Nëse do të merret nga disiplina spanjolle do t’i bashkangjitej atij të UEFA-s ndaj Mou.

Top Channel