Rama: Koha të reagojmë të gjithë

17/08/2011 09:30

Kryetari i Partisë Socialiste reagon pas raportit të OSBE-ODIHR për
zgjedhjet e 8 majit dhe deklaron se është koha për të luftuar këtë
pushtet me mjete të rezistencës paqësore.

“Me këtë KQZ dhe këtë Kolegj Zgjedhor nuk mund të bëhen më zgjedhje”, thotë ndër të tjera kreu socialist ne nje editiorial shperndare per mediat.

Editorial-Edi Rama

Raporti i ODHIR-it s’ka qenë asnjëherë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Gjithshka që publiku ka parë vetë, me sytë e tij, në zgjedhjet dramatike të Tiranës, dhe që ne kemi pretenduar pas numërimit që na nxorri fitues, gjen konfirmim të plotë në qëndrimin e arbitrit ndërkombëtar.

Ne ishim të palumtur nga dyzimet e raportit përfundimtar të vitit 2009, pasi megjithë problemet e rënda që misioni i ODHIR-it nxorri me objektivitet në pah gjatë gjithë procesit, ai raport i vuri në fund kapakun vjedhjeve duke folur për një progres të paqenë e për mungesë provash për manipulime.

Ndërsa ky raport përfundimtar jo vetëm konfirmon gjithë sa misioni i drejtuar nga Jonathan Stonestreet ka shkruar në raportet e ndërmjetme, por edhe e plotëson tablonë e zgjedhjeve të 8 majit me qëmtime që s’lënë asnjë ekuivok për mungesën e standarteve dhe rolin negativ të KQZ e të Kolegjit Zgjedhor. I jemi thellësisht mirënjohës këtij misioni për objektivitetin e treguar deri në fund. Dhe e falenderojmë për gjithë punën e kryer e, posaçërisht, për mospërsëritjen e recetës standarte, “Këto zgjedhje ishin më të mira se të shkuarat, po jo aq të mira sa duhet”, e cila ka penguar vijimësisht trajtimin e duhur të krizës kronike të zgjedhjeve në Shqipëri. Kriza është shtjelluar plotësisht në raportin e ODHIR-it dhe janë dhënë edhe rekomandime të vyera për ta adresuar atë sic duhet, në mëyrë që zgjedhjet e ardhshme të përputhen me standartet deri këtu të munguara ndërkombëtare.

Minimalisht me këtë KQZ dhe këtë Kolegj Zgjedhor s’mund të bëhen më zgjedhje në Shqipëri. Sikundërse zgjedhjet nuk mund të bëhen as me këto lista, që votën e emigrantëve ia lënë në dorë pushtetit për ta përdorur në interes të tij. Këtë nuk e themi më vetëm ne, opozita e dëmtuar rëndë nga veprimtaria brutale e këtyre dy institucioneve, po e thotë shkoqur arbitri ndërkombëtar. Ashtu sic thotë, me rradhë, edhe një sërë të vërtetash të tjera të hidhura për të cilat opozita ka ngritur zërin dy vjet rresht, por që fatkeqësisht u rishfaqën të plota në zgjedhjet e 8 majit, duke e cënuar përsëri lirinë e të drejtën e shqiptarëve për të zgjedhur dhe duke thelluar mosbesimin e tyre tek procesi zgjedhor. Ky raport është një pikë solide referimi për të gjithë ata, shqiptarë e partnerë ndërkombëtarë, që duan të kontribuojnë për ta ndarë njëherë e mirë Shqipërinë nga zgjedhjet e deformuara e të kontestuara. Ne jemi padyshim ndër ta dhe do të bëjmë gjithë sa na takon për t’ia bërë të mundur qytetarëve shqiptarë pa dallim clirimin nga makthi i zgjedhjeve pa standarte.

E di fort mirë se ç’zhgënjim e brengosje ka lënë pas maskarada e Tiranës, di edhe se sa shumë janë ata që vazhdojnë të na gjykojnë keq, mua personalisht në rradhë të parë, për qasjen paqësore me të cilën e përballuam procesin torturues të manipulimit të rezultatit ditën për diell. Kam ndjekur me vëmendje shpalosjen e një fryme revolte në editoriale, analiza e blogje, ku opozita akuzohet si e pafuqishme përballë të keqes që ka kapur për fyti Shqipërinë dhe si e paaftë për të mbrojtur me forcë votën e marrë nga populli.

Mirëkuptoj revoltën e secilit që ndjehet keq në këtë situatë dramatike, por nuk ndaj dot opinionin se këtë situatë e zgjidh vetëm reagimi i dhunshëm i opozitës. Dhe nuk kam asnjë pendesë për qasjen tonë paqësore ndaj procesit, për rrugën ligjore që ndoqëm deri në fund, për mosnxitjen e dhunës kur një dorë zullumqarësh të veshur me toga të zeza vulosën me vendim gjykate grabitjen e dhunshme të mandatit tonë për Tiranën. Ashtu sic nuk kam asnjë dyshim në domosdoshmërinë e kursit tonë të ri politik, të betejës sonë parlamentare për të reformuar Kodin Zgjedhor bazuar mbi të gjitha konstatimet e rekomandimet e raportit të ODHIR-it, të shtimit të rrugëve e të intensitetit të komunikimit me qytetarët për hallet e mëdha të vendit, të nevojës për t’u dhënë shqiptarëve një alternativë të qartë qeverisëse, si edhe të të kuptuarit nga të gjithë se opozita as nuk është qeveri që mban përgjegjësi për të zezat që qeveria i bën popullit, as nuk mund të kthehet në qeveri përvecse përmes votës së popullit.

Këto janë orë të vështira për të gjithë ata që s’jetojnë në oborrin e pushtetit të Saliut, edhe për opozitën padyshim, por në kohë si këto secili, cdo qytetar, cdo grup interesi, cdo bashkësi, duhet të bëjë detyrën ndaj vetes duke e luftuar këtë pushtet me të gjitha mjetet e rezistencës paqësore, me të gjithë forcën e fjalës e të protestës qytetare, jo duke pritur që opozita t’i zgjidhë si me magji problemet e mëdha që na mundojnë të gjithëve apo të dalë përditë para publikut për të thënë, “Më ka cu nana me la gojën!” për cdo gjë që ndodh në këtë vend. Këtë nuk e bën asnjë opozitë askund, ashtu sikundër nuk është opozita që udhëheq revoltat në Londër, Athinë, Paris apo kudo ku qytetarët shpërthejnë në protesta të asaj natyre.

Natyrisht ne kemi detyrën tonë dhe të jemi në krye të detyrës me të gjithë forcën që na jep e drejta që kemi me vete, për të mos lejuar të përsëritet më kurrë ajo që ndodhi me zgjedhjet dhe që sot nuk është më vetëm një bindje e opozitës, po edhe e të gjithë komunitetit ndërkombëtar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA