Mbetet pa varrosur trupi pa kokë i Liljana Arapit

16/08/2011 12:05

Mbetet ende pa u varrosur 42-vjeçarja Liljana Arapi nga Bilishti, trupi i
së cilës u masakrua dhe u hodh në koshin e plehrave, mbrëmjen e së
enjtes së kaluar.

Familjarët e saj kanë kërkuar gjetjen e kokës së të ndjerës, për të kryer ceremoninë mortore. Nëna e viktimës, Margarita Arapi, u shpreh se nuk do të dëshironte në asnjë mënyrë që të mbyllte në arkivol trupin e vajzës së saj pa kokë.

Mësohet se familja Arapi, për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike në të cilën ndodhet, ka kërkuar ndihma financiare për të kryer ceremoninë e varrimit. Burime të policisë nga Komisariati i Devollit, ndërsa konfirmuan faktin se nuk është kryer ende varrimi i 42-vjeçares, thanë se ishin në dijeni të ndihmës që familja Arapi ka kërkuar për të kryer ceremoninë mortore.

Sipas autoriteteve të policisë lokale, trupi i 42-vjeçares prej tri ditësh vazhdon të qëndrojë në morg, në pritje të tërheqjes nga familjarët.

Kërkimet

Mësohet se policia po has vështirësi për gjetjen e kokës së viktimës. Drejtues të Policisë së Korçës, thanë se janë angazhuar forca të shumta policie dhe vazhdojnë kërkimet në fushën e mbetjeve urbane të qytetit, ashtu edhe në oborrin e shtëpisë së 84-vjeçarit Gaqo Dumka, por pa ndonjë rezultat. Koka e viktimës nuk është arritur të gjendet.

Ndërkohë i moshuari ka pranuar kryerjen e krimit, por nuk ka pranuar të japë detaje rreth vendndodhjes së kokës së gruas, me të cilën ai bashkëjetonte prej disa vitesh. Sipas policisë, 84-vjeçarit kur i kërkohet të tregojë se ku ka përfunduar koka e prerë e 42-vjeçares që vrau, nuk jep asnjë sqarim, madje nuk pranon të flasë.

Sakaq hetimi për 84-vjeçarin konsiderohet si i përfunduar nga policia, që shprehet e bindur se nuk ka asnjë dyshim për faktin se Gaqo Dumka, është autori i vetëm i vrasjes dhe masakrimit të trupit të Liljana Arapit. Ndonëse janë hedhur dyshime se në këtë krim mund të jenë përfshirë edhe persona të tjerë nga rrethi familjar i 84-vjeçarit, policia tha se i konsideron të mjaftueshme provat që vërtetojnë se Gaqo Dumka është autori i vetëm i vrasjes së bashkëjetueses së tij, 42-vjeçares Liljana Arapi. Ndërkaq, policia sqaroi se shpërblimi prej 10 mijë eurosh i vënë në dispozicion nga Drejtoria Rajonale e Korçës për personat që do të bashkëpunonin për gjetjen e autorit, nuk është konsumuar pasi zbardhja e ngjarjes është kryer falë punës së vetë efektivave të kësaj policie.

Misteri i kokës së prerë të gruas 42-vjeçare vazhdon të shoqërojë fundin e saj tragjik, ashtu sikurse edhe mënyra se si ajo shfrytëzonte apo mbante për interes lidhjen me të moshuarin 84-vjeçar. Policia tha se nuk është pjesë e hetimeve të saj fakti që gruaja nga qyteti i Bilishtit, krahas marrëdhënies që mbante me 84-vjeçarin, mund të kishte edhe lidhje intime me persona të tjerë, të cilët mund ta paguanin për të përballuar jetesën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA