Kompensimi, AKKP i jep dy herë lekë kryeparlamentares

16/08/2011 12:30

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompenson financiarisht
për të dytën herë brenda 6 viteve familjen e kryeparlamentares Jozefina
Topalli.

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpalli dje 107 fituesit për vitin 2011, ku ndër to përfshihet dhe trashëgimtarët e familjes Gjon Çoba, në të cilën bën pjesë kryeparlamentarja Jozefina Topalli (Çoba). AKKP-ja shpalli 107 emrat fitues, por në këtë listë sipas kreut të kësaj agjencie, Elvis Çefa, janë edhe ato subjekte të shpronësuara që nuk kanë përfituar ndër vite nga procesi i kompensimit. Por familja e kryeparlamentares, Çoba ka përfituar në vitin 2005 nga hedhja e shortit që bëri Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Prona e kompensuar në vlera monetare përfshinte 200 metra katrorë dhe ishte në Tiranë. Ndërsa, sipas “Shqip”,  në vendimin e djeshëm të AKKP-së, kjo pronë kompensohet në rrethin e Shkodrës. Vendimi më i fundit i qeverisë, nr.192, datë 9.3.2011, “Për përcaktimin e rregullave dhe të kritereve për shpërndarjen e fondit të kompensimit, pronarëve, në të holla, për vitin 2011”, përcakton se në këtë proces kompensimi nuk përfshihen ato subjekte që kanë përfituar më parë.

“Vendimi, për të cilin aplikohet, nuk është trajtuar asnjëherë me kompensim. Në rastin e vendimeve, të cilat janë ndryshuar pjesërisht, për efekt klasifikimi, do të merret numri dhe data e vendimit bazë, që është më i hershëm në radhë kronologjike për njohjen, kthimin dhe kompensimin e asaj prone”, thuhet në pikën 1/c të këtij vendimi.

Kreu i AKKP-së, Çefa, në konferencën për shtyp bëri të ditur se “në përfundim të shqyrtimit të 1012 kërkesave të administruara, kanë rezultuar përfitues gjithsej 107 subjekte të shpronësuara sipas renditjes kronologjike duke filluar nga vendimi më i vjetër në kohë. Vendimi i fundit përfitues nga ky fond daton 23 shtator 1994”. Ndërkohë që në listën e fituesve rezulton që një ish-pronar të përfitojë dy herë kompensime. Bëhet fjalë pikërisht për shtetasin Jak Zanga, i cili nga AKKP-ja duhet të përfitojë kompensim në vlera monetare në dy prona që i rezulton me vendime nr. 660 dhe 665.

“Subjektet, të cilat kanë aplikuar për kompensim në të holla me vendime të ish-komisioneve që datojnë para datës 23 shtator 1994 dhe nuk rezultojnë fitues, janë skualifikuar kryesisht për arsye se: 1- Kanë përfituar kompensim (fizik apo financiar). 2 – Kanë pasur probleme thelbësore hartografike në vendimet e tyre, të tilla që kanë vënë AKKP në pamundësi objektive të identifikimit të pronës së njohur dhe të kompensuar. 3-Kanë pasur mungesa në dokumentacionin legjitimues si: dëshmi trashëgimie, prokura etj., pa të cilat AKKP nuk mund të vazhdonte procedimin”, tha Çefa. Janë 107 subjekte që do të përfitojnë fondin prej 670 milionë lekësh, i vënë në dispozicion nga qeveria. Subjektet e shpronësuara përfitues sipas listës së mësipërme, do të kenë të depozituara shumat respektive në numrat e llogarive të tyre bankare të dorëzuara në AKKP duke filluar nga data 18 gusht 2011. Për herë të parë kompensimi realizohet në mënyrë të diferencuar sipas sipërfaqes që kërkojnë për kompensim. “Kompensimi të bëhet për pronën e llojit truall, në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës, të miratuar sipas vendndodhjes së pronës, që kompensohet. Masa e kompensimit të jetë sipas skemës së mëposhtme: a) Për pronat e njohura për kompensim deri në 1500  m2, masa e kompensimit të jetë 200 m2.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA