Për të 23-tën ditë në minierën e Bulqizës greva e urisë e minatorëve vazhdon me vendoshmëri deri në përbushjen e kërkesave. Por kompania koncesionare ACR është e gatshme në plotësimin e kërkesave.
Duket një situatë absurde kur kompania ACR shprehet e gatshme të përmbushë kërkesat, ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë minatorët të cilët vijojnë grevën.
Giga Bedineishvilli drejtori ekzekutiv i ACR-së nga zyrat e kësaj kompanie në Tiranë gjatë një interviste për Top Channel ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve dhe ç’është më kryesorja përmbushja e 3 kërkesave të minatorëve.
“Ata na kërkojnë 20 përqind rritje rroge, përmirësimin e kushteve të punës përfshi transparencë në programin e investimeve. Të treja këto kërkesa janë të realizueshme. Kompania ACR është gati për t’i plotësuar ato. Këtë e dinë edhe minatorët që ne jemi të gatshëm t’i përmbushim kërkesat që ata kanë. Situata është e tillë: Minatorët që kanë kërkesa dhe kompania që është e gatëshme t’i plotësojë ato”, theksoi Bedineishvilli.
Drejtori ACR-së ka akuzuar Kol Nikollën presidentin e Konfederatës së Sindikatave se ka një axhendë të fshehtë dhe kërkon që greva të vazhdojë.
“Personalisht jam 100 përqind i sigurtë se jemi përballë një axhende të fshehtë ku ai mund të përfaqësojë ndonjë interes financiar tjetër ose ndonjë axhendë politike. Emërojeni si të doni. Kush e di. Ai është dikushi jashtë minierës dhe besoj se për të interesat e minatorëve nuk janë të rëndësishme. Ai është i preokupuar me interesat e tij. Kol Nikolla duhet të largohet nga atje. Nëse ai është jashtë Bulqizës, situata do të zgjidhet qetësisht. Dua ta përsëris. Çfarë minatorët kërkojnë ne jemi të gatshëm t’i përmbushim kërkesat e tyre. Ne duam një atmosferë të qetë pa Kol Nikollën vërdallë dhe situata do të zgjidhet shumë lehtë”, është shprehur Bedineishvilli.
Pyetjes rreth zërave që thonë se qëllimi i grevës është largimi i ACR-së nga Bulqiza dhe vendin e saj ta zërë mbase një kompani kineze, zoti Bedineishvili jep këtë përgjigje:
“Kjo është një minierë me rëndësi në Shqipëri pra një aset që kompania jonë e menaxhon. Mbase ka njerëz që duan ta marrin minierën, por me vjen keq t’u them se ne nuk do ta lëmë minierën. Ne jemi këtu për shumë kohë. Kemi një kontratë konçensionare të vlefshme me qeverinë shqiptare në menaxhimin e aseteve dhe kur të mbarojë konçesioni asetet i kthehen shtetit shqiptarë dhe shqiptarëve”, deklaroi Bedineishvilli.
Tashmë oferta e ACR-s për plotësimin e kërkesave të minatorëve grevistë është në tavolinë. Pritet vetëm firma e minatorëve që kjo grevë të përfundojë. Të paktën për tani.
Top Channel