Në kuadër të bllokimit të mallrave komercialë që hyjnë nga Serbia, Kosova i vë bllokadë edhe importit të energjisë elektrike nga Serbia.
Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj shpjegon se kompania që ai drejton pas vendimit të qeverisë, nuk do të nënshkruajë asnjë kontratë me operatorët serbë për importin e energjisë elektrike.
Fatmirësisht, sipas tij, këtë vit operatorët serbë nuk kanë fituar ndonjë tender për importin e energjisë dhe energjia e cila importohet bëhet nëpërmjet operatorëve të tjerë ndërkombëtarë.
“Prej tyre që kanë fituar tenderin në janar të këtij viti, ka qenë edhe një kompani nga Serbia, por kjo kompani në afatin kur e kemi ftuar për nënshkrim kontrate nuk e ka nënshkruar, dmth kontrata mbetet e panënshkruar dhe ne jemi në arbitrazhe për rregullimin e çështjeve konform ligjit në fuqi”, është shprehur Gjukaj.
Rrjedhimisht, sipas drejtorit të KEK-ut, Kosova nuk importon fare rrymë nga Serbia.
“Për momentin kemi vetëm 3 orë import të energjisë nga një kompani sllovene, ndërsa nga Serbia nuk po marrim asnjë megaëat”, theksoi Gjukaj.
Xhukaj bëri të ditur se pas vendimit të qeverisë, KEK-u ka ndërprerë realizimin e rreth 30 kontratave me kompanitë qofshin ato kosovare apo serbe të cilat kryejnë shërbime teknike me mallra me origjinë nga Serbia.
I gjithë ky proçes, sipas sekretarit të përgjithshëm të Odës Ekonomik, reflekton pozitivisht në bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë në sektorin e energjisë, por edhe me vende të tjera të cilat ofrojnë kontrata më të favorshme.
Pas vendimit të Ministrisë së Tregtisë për bllokimin e importit të mallrave komerciale nga Serbia, ministri i Zhvillimit Ekonomik Besim Beqaj ka nxjerrë një tjetër vendim i cili ekskluzivisht u drejtohet ndërmjarrjeve publike në Kosovë për të ndalur çdo marrëveshje me operatorët ekonomike të cilët sjellin mallra me origjinë nga Serbia.
Top Channel